Juristët kundërshtojnë politizimin e Speciales: Ndryshimet mund t’i kushtojnë Kosovës!

Seanca e së premtes në Kuvendin e Kosovës, e cila zgjati gati 12 orë, përfundoi pa u shqyrtuar projektligji që synon kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 38 deputetë, projektligji nuk arriti të hidhej në votim, duke lënë të hapur një çështje që ka nxitur debate të shumta politike dhe juridike. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime serioze për ndryshimet e propozuara, duke rikthyer në vëmendje edhe raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe respektimin e obligimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e mëparshme.

Përtej dështimit të seancës për të trajtuar këtë projektligj, debati kryesor lidhet me mundësinë dhe pasojat e ndryshimit të kuadrit ligjor mbi të cilin funksionon Specialja. Nisma ka hapur dilema për përputhshmërinë e ndryshimeve me Kushtetutën, kompetencat e institucioneve të Kosovës dhe hapësirën që ato kanë për të ndërhyrë në mandatin e një gjykate të themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, mbetet e rëndësishme se si mund të mbrohen të drejtat e ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me proceset në Hagë, pa krijuar përplasje të reja institucionale apo diplomatike.

Në këtë kontekst, mungesa e kuorumit ka nxitur diskutime edhe për mungesën e një qëndrimi të përbashkët politik lidhur me një çështje kaq të ndjeshme. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë hapash mund të ndërmarrin institucionet e Kosovës në vazhdim dhe nëse ndryshimet e propozuara mund të realizohen brenda kufijve kushtetues dhe pa ndikuar në raportet me aleatët ndërkombëtarë.

Për këto zhvillime, si dhe për rrugën që duhet të ndjekin institucionet e Kosovës në raport me Dhomat e Specializuara, për “Bota sot” kanë folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, dhe avokati Gazmend Halilaj, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre për aspektet juridike, kushtetuese, politike dhe diplomatike të kësaj çështjeje.

Musliu: Ky ligj bie ndesh me Kushtetutën, rrezikohen raportet e Kosovës me aleatët

Image

Skënder Musliu

Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, kundërshton ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i cilësuar ato si antikushtetuese dhe në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Musliu rikthen në vëmendje mënyrën se si nisi iniciativa për ndryshimin e ligjit, duke vlerësuar se ajo u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën tensione të mëdha politike.

Sipas tij, miratimi i ligjit u shoqërua me protesta, sulme fizike ndaj deputetëve të LVV-së, praninë e protestuesve të armatosur, rrethimin e Kuvendit dhe lëndimin e policëve.

“Nën pakënaqësinë ndaj aktgjykimit fajësues për katërshen në Hagë, PDK-ja nisi iniciativën për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Madje, miratimi i këtij ligji u bë në kushte të jashtëzakonshme dhe dramatike, nën presionin e protestave, sulmeve fizike ndaj deputetëve të LVV-së, me protestues të armatosur, Kuvend të rrethuar, policë të lënduar dhe kërcënime ndaj rendit kushtetues. Shkurt, në gjykimin tim, bëhej fjalë për një tentativë për grusht shteti, e cila fatmirësisht dështoi”, shprehet Musliu.

Ai ndalet edhe te procedura e mëvonshme e ligjit, duke e cilësuar paradoksale kërkesën e PDK-së, si propozuese dhe sponsorizuese e nismës, që presidentja të mos e dekretonte atë, por t’ia kthente Kuvendit për rishqyrtim.

“Pas miratimit në lexim të dytë, më 6 tetor, Kuvendi ia dërgoi ligjin presidentes për dekretim. Mirëpo, për habi, PDK-ja, si propozuese dhe sponsorizuese e tij, i kërkoi presidentes që të mos e dekretonte ligjin, por t’ia kthente përsëri Kuvendit për rishqyrtim. Kjo, sipas vlerësimit tim, përbën një absurd juridik. Edhe më absurde është që presidentja e ktheu ligjin për rishqyrtim me arsyetimin se këtë e kishte kërkuar PDK-ja. Presidentja ka të drejtë të mos e dekretojë një ligj dhe t’ia kthejë Kuvendit kur vlerëson se ai cenon rendin juridik dhe kushtetues, por jo thjesht sepse këtë e kërkon propozuesi”, deklaron ai.

Duke komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend, Musliu vlerëson se mungesa e kuorumit për shqyrtimin e projektligjit reflekton mungesën e konsensusit ndërpartiak. Ai thekson se LVV-ja, si shumicë parlamentare, sipas tij, kërkon paraprakisht konsultime me Bashkimin Evropian për të gjetur një zgjidhje tjetër.

Sipas juristit, Kuvendi ka dy mundësi: ta miratojë ligjin me 61 vota, ashtu siç është, ose ta nisë procesin nga fillimi, pasi, sipas interpretimit të tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lejon amendamentimin e tij.

Megjithatë, Musliu shpreh bindjen se, edhe nëse ligji miratohet, ai nuk do të mund të zbatohet, pasi, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Nëse ligji i 6 tetorit miratohet, në bindjen time, ai nuk do të jetësohet, sepse është në kundërshtim flagrant me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës dhe me obligimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Neni 162, në mënyrë ekskluzive dhe eksplicite, të gjitha kompetencat për funksionimin e Gjykatës Speciale ia ka deleguar Dhomave të Specializuara. Kjo do të thotë se, për çdo ndërhyrje në ligjin e Dhomave të Specializuara, vlerësimin e kushtetutshmërisë, në mënyrë ekskluzive dhe pa përjashtim, e bën Dhoma e Veçantë e Gjykatës Kushtetuese me seli në Hagë. Konsideroj se kjo dhomë do ta shpallë ligjin në kundërshtim me Kushtetutën”, thekson Musliu.

Ai pretendon se ndryshimet e propozuara prekin në thelb përmbajtjen, kompetencat dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke vlerësuar se ato rrezikojnë të cenojnë vetë funksionimin e këtij institucioni.

Musliu rikujton se themelimit të Dhomave të Specializuara i kanë paraprirë një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh institucionale, përfshirë shkëmbimin e letrave ndërmjet ish-presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, i cili më pas u shndërrua në marrëveshje ndërkombëtare dhe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 2014.

Ai përmend gjithashtu ndryshimet kushtetuese të vitit 2015, formimin e Dhomave të Specializuara dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Holandës.

“Prandaj, me këtë ligj nuk mund të zhbëhen të gjitha këto marrëveshje dhe vendime që kanë paraprirë themelimin e Dhomave të Specializuara”, shprehet ai.

Një pjesë të rëndësishme të shqetësimeve të tij Musliu ia kushton edhe raporteve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vazhdimisht respektimin e obligimeve ndërkombëtare dhe të vendimeve që lidhen me Gjykatën Speciale.

Ai paralajmëron se mosmarrja parasysh e këtyre shqetësimeve mund të ketë pasoja për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe raportet me bashkësinë ndërkombëtare.

“Nëse institucionet e Kosovës nuk i marrin parasysh këto kërkesa dhe kritika, mendoj se kjo do t’i kushtojë shumë Kosovës në proceset eurointegruese, madje mund të çojë edhe drejt izolimit dhe sanksioneve nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të mendojnë mirë nëse ia vlen që, për një ligj që unë e konsideroj antikushtetues dhe që përkrahet pa kushte nga partitë më të kriminalizuara dhe më të korruptuara të skenës politike, bashkë me deputetët që e votuan Gjykatën Speciale, të prishin raportet me ndërkombëtarët”, deklaron Musliu.

Sa i përket rrugës që duhet të ndjekin institucionet e Kosovës, juristi propozon që Grupi Punues për Strategjinë e Apelit të angazhohet drejtpërdrejt me institucionet përkatëse juridike të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, kjo është mënyra për të shmangur veprime që mund të bien ndesh me marrëveshjet e mëparshme dhe për të ruajtur bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Në gjykimin tim, e vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo krizë dhe ky labirint juridik është që Grupi Punues për Strategjinë e Apelit t’i kontaktojë dhe të punojë me institucionet përkatëse juridike të BE-së, me të cilat është nënshkruar marrëveshja e vitit 2014. Me këtë marrëveshje, Kosova është zotuar se për çdo nismë që prek mandatin e kësaj gjykate duhet të konsultohet me BE-në”, thekson ai.

Musliu shton se çdo veprim institucional jashtë këtij koordinimi, përveç përmbushjes së obligimeve për alokimin e mjeteve për avokatët mbrojtës, do të ishte, sipas tij, një dështim për institucionet e Kosovës.

Ai e cilëson nismën aktuale si të panevojshme dhe kërkon që institucionet të mos ndërmarrin hapa që mund të dëmtojnë raportet me aleatët.

“Kjo është mënyra më e mirë dhe e vetme që Kosova t’i ruajë raportet me aleatët dhe të respektojë standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe pavarësinë e gjyqësorit”, shprehet juristi.

Në fund, Musliu vlerëson se edhe në rast të arritjes së një dakordimi ndërmjet Kosovës dhe BE-së për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, mundësitë për ndryshime thelbësore do të ishin të kufizuara.

“Në gjykimin tim, edhe sikur të arrihet një dakordim mes Kosovës dhe BE-së për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ato nuk do të mund ta ndryshojnë substancën e dispozitave të ligjit fillestar, përveçse të bëjnë një makijazh formal e sipërfaqësor, sepse shtetet mike të Kosovës u besojnë fuqishëm gjykatave dhe drejtësisë”, përfundon Skënder Musliu për “Bota sot”.

Halilaj: Ndërhyrjet politike në drejtësi nuk duhet të udhëhiqen nga interesa elektorale

Image

Gazmend Halilaj

Ndërkaq, avokati Gazmend Halilaj vlerëson se debati për Dhomat e Specializuara nuk duhet të trajtohet si një betejë e zakonshme politike, por si një çështje që prek drejtësinë, përgjegjësinë institucionale dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.

Halilaj thekson se mungesa e kuorumit nuk duhet parë vetëm si pengesë procedurale, por edhe si dëshmi se për çështje të tilla kërkohet arsyetim juridik dhe përgjegjësi shtetërore, përtej emocioneve dhe kalkulimeve politike.

“Si jurist dhe avokat, konsideroj se debati për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk duhet të trajtohet si një betejë e zakonshme politike, por si një çështje që prek drejtpërdrejt themelet e shtetit tonë: drejtësinë, përgjegjësinë institucionale dhe besueshmërinë ndërkombëtare.

Mungesa e kuorumit në Kuvend, pas një seance maratonike, nuk është vetëm një dështim procedural. Ajo është një sinjal se për çështje kaq të ndjeshme, emocionet politike nuk mund të zëvendësojnë arsyetimin juridik dhe përgjegjësinë shtetërore”, shprehet Halilaj.

Ai thekson se, ndonëse përkrah Lëvizjen Vetëvendosje, kjo nuk nënkupton qëndrime të njëanshme për çështjet e drejtësisë, duke nënvizuar se institucionet duhet të funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe jo të interesave politike.

“Unë përkrah Lëvizjen Vetëvendosje, sepse besoj në një shtet ku institucionet nuk duhet të funksionojnë mbi bazën e presioneve, pazareve politike apo interesave të individëve. Por, njëkohësisht, si avokat, besoj se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e pavarur dhe e barabartë për të gjithë”, deklaron ai.

Duke folur për rolin dhe funksionimin e Gjykatës Speciale, Halilaj thotë se ky institucion nuk duhet të shihet as si instrument për të goditur historinë e UÇK-së, e as si institucion që duhet të jetë i mbrojtur nga çdo kritikë. Sipas tij, vlerësimi i punës së saj duhet të bëhet mbi bazën e standardeve juridike dhe të drejtave të njeriut.

“Gjykata Speciale nuk duhet parë as si instrument për të goditur historinë e UÇK-së, as si institucion që duhet të mbrohet nga çdo kritikë. Ajo duhet të vlerësohet mbi bazën e standardeve juridike, të drejtave të njeriut dhe garancive për një proces të drejtë.

Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është pjesë e historisë sonë kombëtare. Sakrifica e UÇK-së nuk mund të relativizohet nga asnjë proces gjyqësor. Por, po ashtu, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes një shteti që udhëhiqet nga emocionet dhe një shteti që ndërtohet mbi parimet e së drejtës”, shprehet Halilaj.

Sa i përket nismës për kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, avokati vlerëson se një vendim i tillë nuk duhet të merret me nxitim dhe as të motivohet nga kalkulimet politike apo interesat elektorale. Ai kërkon që çdo ndryshim të mbështetet në analizë të mirëfilltë juridike dhe në vlerësimin e pasojave për Kosovën.

“Kufizimi i mandatit të Speciales nuk mund të jetë një vendim i nxituar, i motivuar nga kalkulimet politike apo nga dëshira për të prodhuar kapital elektoral. Çdo ndryshim duhet të mbështetet në analizë juridike serioze, në respektimin e rendit kushtetues dhe në vlerësimin e pasojave që mund të ketë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Kosova nuk ka nevojë për një drejtësi selektive. Kosova ka nevojë për drejtësi të besueshme”, thekson ai.

Halilaj nënvizon se mbrojtja e të drejtave të ish-drejtuesve të UÇK-së duhet të jetë pjesë e angazhimit institucional, por pa cenuar standardet e sundimit të ligjit dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, prezumimi i pafajësisë dhe e drejta për mbrojtje janë parime që duhet të respektohen në çdo proces gjyqësor.

“Nuk mund të kërkojmë respekt nga bota, nëse vetë nuk tregojmë respekt për institucionet dhe standardet që kemi pranuar. Po ashtu, nuk mund të lejojmë që të drejtat e të akuzuarve të cenohen, sepse prezumimi i pafajësisë dhe e drejta për mbrojtje janë shtylla të një demokracie të vërtetë”, shprehet avokati.

Në fund, Halilaj kërkon nga institucionet e Kosovës maturi dhe përgjegjësi shtetërore, duke theksuar se mbrojtja e historisë dhe dinjitetit të luftës çlirimtare duhet të bëhet përmes mekanizmave të drejtësisë dhe jo përmes presionit politik.

“Në këtë drejtim, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me maturi, pjekuri dhe përgjegjësi shtetërore. Mbështetja për LVV-në nuk nënkupton heqje dorë nga parimet juridike. Përkundrazi, një shtet serioz duhet të dëshmojë se politika dhe drejtësia nuk janë kundërshtare, por se politika duhet t’i nënshtrohet ligjit.

Kosova duhet ta mbrojë historinë e saj, dinjitetin e luftës çlirimtare dhe të drejtat e çdo qytetari, por këtë duhet ta bëjë përmes drejtësisë, jo përmes presionit politik.

Sepse në fund, shteti nuk forcohet duke i ikur drejtësisë. Shteti forcohet duke dëshmuar se drejtësia është e aftë të qëndrojë mbi çdo interes politik.

Drejtësia nuk është dobësi e shtetit. Drejtësia është prova më e madhe e forcës së tij”, përfundon Gazmend Halilaj për “Bota sot”

Burimi: botasot.info