Mexhiti në Kosovë: Bashkëpunim me “Jetimat e Ballkanit” për shkollën për fëmijë me nevoja të veçanta në Çair

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vizituar Kosovën, ku është takuar me Halil Kastratin nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”.

“Në Kosovë ishim për ta takuar Halil Kastratin, sepse pa përkrahjen për ata që kanë më shumë nevojë, angazhimi ynë për qytetarët mbetet i paplotë”, ka thënë Mexhiti.

Gjatë vizitës në shtëpinë e të moshuarve, ai dhe delegacioni janë njohur nga afër me punën e shoqatës. Me Kastratin ka biseduar edhe për bashkëpunim në ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta, “Idnina – E ardhmja”, në Çair.

Sipas Mexhitit, objekti do të ketë rreth 2.000 m², kapacitet për 200 fëmijë dhe investim të parashikuar prej rreth 2 milionë eurosh. Ai thotë se shkolla do të ofrojë hapësira të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim, sipas nevojave të fëmijëve.

“Familjet që e presin këtë shkollë kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët për kushte ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe t’i shprehin aftësitë e tyre. Për këtë duam të punojmë bashkë”, ka theksuar Mexhiti.

Në takim është diskutuar se si mund të bashkohen përvoja e shoqatës dhe angazhimi i komunës për ta çuar përpara projektin.

Burimi: alfax.mk