Shkup, 9 Shtator – Presidenti Stevo Pendarovski sot vendosi të ndalojë parodinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit, ku me muaj po zvarritet dëgjimi i kandidatëve për ambasadorë të Maqedonisë në disa vende. Kabineti i tij njoftoi se Pendarovski në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese nënshkroi dekretet për dy ambasadorë të propozuar që nuk ishin në rendin e ditës për t’u dëgjuar në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit.
Agneza Rusi-Popovska në Bullgari dhe Metodija Belevski në Belgjikë. Agneza Rusi-Popovska deri më tani ishte ambasadore e Maqedonisë në BE. Përveç tyre, ai ka nënshkruar edhe dekrete për ambasadoren në Sllovaki, Evgenija Ilieva, në Kanada, Agron Buxhaku dhe Norvegji, Driton Kuçi.
Për këta të tre kaloi diskutimi në Komisionin për Punë të Jashtme, ndërsa për Belevskin u shty. Dëgjimi i Agneza Rusi-Popovskës nuk ishte as në rendin e ditës së Komisionit të kryesuar nga Antonio Milloshoski, ndonëse propozimi për të ishte bërë pesë muaj më parë.