Shkup, 9 shtator – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot realizoi takim me presidentin e Republikës së Italisë, Serxho Matarella.
Gjatë takimit, siç informoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, Kovaçevski ishte i shoqëruar nga zëvendësja e kryetarit të Qeverisë e angazhuar për sundim të mirë, Sllavica Gërkovska dhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Në takim u konfirmuan miqësia e sinqertë dhe relacionet e mira mes dy vendeve, me dialog aktiv në marrëdhëniet bilaterale, si dhe me rëndësi për zhvillimin demokratik të shtetit tonë. Është cekur pozita e qartë e Republikës së Italisë se zgjerimi i BE-së me vendet nga Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë, që tregohet e domosdoshme edhe në suaza të ngjarjeve globale, aktuale, thuhet në kumtesë.
Gjatë takimit u shpreh edhe roli i shtetit në rajon, si vend i cili i zgjidhë sfidat përmes lidershipit të guximshëm, durimit dhe maturisë dhe është paralajmëruar mbështetje e madhe nga Italia edhe në procesin e mëtutjeshëm në integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut, me qëllim të dinamikës së përshpejtuar drejt anëtarësimit të barabartë në BE.
“Kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e madhe që Italia ia jep Maqedonisë së Veriut në tre dekadat e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, në integrimet euroatlantike dhe posaçërisht në suaza të procesit me të cilin, pas 17 viteve, përfundimisht filluan negociatat me BE-në”, informojnë nga shërbimi për shtyp i Qeverisë.
Kryetari i Qeverisë theksoi se shteti është vemdosur njëqind për qind dhe me kohë në linjën e politikave të BE-së, në raport me luftën në Ukrainë, se zbaton vlera evropiane dhe se meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në takim, siç informojnë nga Qeveria, është biseduar edhe për çështje të tjera aktuale, posaçërisht rreth përballjes me sfidat për sigurimin e energjisë, me të cilat po përballen Evropa dhe bota. Në atë drejtim është shprehur pajtueshmëri e dyanshme se është e domosdoshme që BE-ja të bashkëpunojë ngushtë edhe me shtetet nga Ballkani Perëndimor, të cilat duhet të merren parasysh gjatë zgjidhjeve të mundshme.
Kryeministri Kovaçevski, në takim, e ceki edhe rëndësinë e bashkëpunimit të Maqedonisë së veriut dhe Italisë në sferën e kulturës, mbrojtjes – si dy shtete anëtare të NATO-s, tregtisë dhe investimeve, ndërkaq së bashku me zëvendëskryeministren Gërkovska dhe ministrin Spasovski, u vlerësua si i rëndësishëm bashkëpunimi në fushën e luftës kundër korrupsionit, preventivës dhe sundimin e së drejtës. Me atë rast është shprehur interes për impuls të ri në bashkëpunimin ekonomik, posaçërisht në pjesën e burimeve ripërtëritëse të energjisë.