Sulmet kibernetike kanë vënë në shënjestër disa prej emrave më të mëdhenj të sektorit financiar në Shtetet e Bashkuara. Të dhënat personale të mijëra klientëve të pasur të bankës amerikane JPMorgan Chase kanë përfunduar në internet, pas një sulmi kibernetik të kryer nga grupi i hakerave n0n. Sulmi nuk është kufizuar vetëm te gjiganti bankar, pasi në internet janë publikuar edhe të dhëna që lidhen me klientët e Visa dhe Mastercard.
Sipas revistës Newsweek, hakerat kanë publikuar rreth 16 mijë adresa email-i dhe numra telefoni të klientëve të JPMorgan. Përfshijnë adresa email-i dhe të dhëna të tjera identifikuese. Hakerat pretendojnë se kanë siguruar akses përmes një kompanie partnere të bankës dhe jo duke depërtuar drejtpërdrejt në sistemet e saj kryesore.
Ekspozimi i këtyre të dhënave krijon rrezik për privatësinë e klientëve, pasi ato mund të përdoren për identifikimin e tyre, mashtrime online dhe sulme përmes email-eve të rreme.
Vetë banka ka konfirmuar se objektiv i sulmit kanë qenë kompani të jashtme që ofrojnë shërbime për të. JPMorgan ka bërë të ditur se shërbimet e saj nuk janë ndërprerë dhe se klientët e prekur do të njoftohen drejtpërdrejt, ndërsa do t’u ofrohet edhe mbështetje për monitorimin e sigurisë së të dhënave të tyre.
Por sulmi është shtrirë edhe te kompanitë e pagesave. Sipas studiuesve të sigurisë kibernetike, të dhënat e publikuara përfshijnë informacion për më shumë se 6 mijë mbajtës të kartave premium të Visa-s.
Edhe Mastercard ka pranuar se një sasi e kufizuar informacioni për disa klientë të regjistruar në një program të veçantë përfitimesh ka përfunduar në duart e paautorizuara.
Grupi i hakerave fillimisht kishte kërcënuar me publikimin e të dhënave nëse kërkesat e tij nuk plotësoheshin, duke vendosur një afat prej 48 orësh për negociatat.
Grupi n0n është shfaqur për herë të parë në shtator dhe ka marrë përsipër sulme edhe ndaj organizatave të tjera.
Ndërkohë, JPMorgan është përballur këtë javë edhe me një tjetër problem, këtë herë teknik, që shkaktoi ndërprerje të përkohshme në disa transaksione të klientëve. Banka ia atribuoi këtë incident një defekti në programet kompjuterike, duke mohuar çdo lidhje me sulmin kibernetik.
Rasti vjen në një kohë kur institucionet financiare amerikane po përballen me shqetësime në rritje për sigurinë e të dhënave dhe sulmet ndaj sistemeve digjitale.
Burimi:TV21
