Aktakuzë ndaj kryeministrit të Federatës së BeH-së dhe ministrit të Brendshëm, prokuroria kërkon ndalimin e ushtrimit të detyrave

Zyra e Prokurorit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë ndaj kryeministrit aktual të këtij entiteti, Nermin Nikshiq, ministrit të Brendshëm, Ramo Isak, dhe pesë personave të tjerë, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe tregtim të ndikimit.

Sipas raportimit të mediumit boshnjak Klix.ba, aktakuza është ngritur nga departamenti special i Prokurorisë Federale, i cili merret me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas një hetimi disa mujor.

Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Policisë në Ministrinë e Brendshme të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Vahidin Munjiq, si dhe zyrtarë të tjerë të policisë dhe institucioneve qeveritare.

Sipas aktakuzës, nga prilli i vitit 2023 deri në gusht të vitit 2024, të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar zgjatjen e përsëritur të autorizimeve të Vahidin Munjiqit për të drejtuar Drejtorinë Federale të Policisë (FUP).

Nikshiqit dhe Isakut u vihet në barrë se kanë marrë pjesë në propozimin, miratimin dhe nënshkrimin e vendimeve të Qeverisë së Federatës së BeH-së, përmes të cilave Munjiqit i ishte mundësuar vazhdimi i ushtrimit të kësaj detyre.

Ndërkaq, Muhamed Ohranoviq dhe Arijana Huseinoviq Ajanoviq akuzohen për ndërmjetësim në dhënien dhe zgjatjen e këtyre autorizimeve, si dhe në emërimin e një të afërmi të Munjiqit në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv për qarkullimin postar në ndërmarrjen publike “BH Posta”.

Mirela Bubalo akuzohet se ka shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e saj zyrtar për të ndërmjetësuar në punësimin e një personi në pozitën e drejtuesit të departamentit në kabinetin e ministrit federal të Brendshëm.

Aktakuza përfshin gjithashtu dyshimet për punësime dhe avancime në strukturat e Drejtorisë Federale të Policisë, si dhe për përcjelljen e paautorizuar të informacioneve konfidenciale lidhur me verifikimet dhe hetimet e prokurorisë.

Prokuroria kërkon ndalimin e ushtrimit të detyrave

Një nga kërkesat e Prokurorisë është që Nermin Nikshiqit t’i ndalohet ushtrimi i detyrës së kryeministrit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Ramo Isakut ushtrimi i detyrës së ministrit federal të Brendshëm.

Masa ndaluese janë propozuar edhe për disa nga të akuzuarit e tjerë, përfshirë ndalimin e ushtrimit të funksioneve zyrtare në institucionet përkatëse.

Aktakuza i është dorëzuar Departamentit të Posaçëm të Gjykatës Supreme të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për konfirmim. Prokuroria ka propozuar dëgjimin e më shumë se 60 dëshmitarëve dhe paraqitjen e mbi 500 provave materiale.

Megjithatë, aktakuza ende nuk është konfirmuar nga gjykata dhe përgjegjësia penale e të akuzuarve nuk është përcaktuar.

Burimi:botasot.info