GazetaMax
Lifestyle

Duhani dhe mënyra e pashëndetshme e jetesës faktorë kryesorë për vdekshmërinë në vend

Shkup, 15 shtator – Duhani dhe ushqimi jo i shëndetshëm janë faktorët kryesorë të rrezikut për vdekshmërinë në Maqedoninë e Veriut. Mënyra e pashëndetshme të jetesës është nxitës e vdekshmërisë, ndërsa përqindja e madhe e duhanpirësve, personave me sheqer të lartë në gjak dhe rritja e konsumit të sheqerit, kripës dhe yndyrës vlerësohet se përbëjnë pothuajse tre të katërtat e rasteve të vdekjeve deri në vitin 2019, theksohet në raportin e ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Maqedoninë e Veriut.

Ky raport është një nga 14 raportet kombëtare për shtetet anëtare në Rajonin Evropian të OBSH-së që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Në pjesën “Përmirësimi i shëndetit të popullatës” theksohet se jetëgjatësia në Maqedoninë e Veriut po rritet, por mbetet nën mesataren e rajonit evropian të OBSH-së.

“Të dhënat më të reja për vdekshmëri të raportuara nga Maqedonia e Veriut në OBSH kanë të bëjnë për vitin 2013. Sipas këtyre të dhënave, jetëgjatësia mesatare ka qenë 75,5 vjet. Edhe pse kjo ishte nën proceset për Evropën Juglindore dhe Rajonin Evropian të OBSH-së, ka qenë më e lartë se numrat më të përditësuara të jetëgjatësisë për disa anëtarë të BE-së”, thuhet në raport.

Sëmundjet kardiovaskulare dhe cerebrovaskulare dhe karcinomet janë shkaktarët kryesorë për vdekje tek të rriturit. Në periudhën nga viti 2000 deri në vitin 2017 ka pasur edhe rritje të vdekshmërisë për shkak të diabetit, llojeve specifike të kancerit, veçanërisht kancerit të mushkërive, kolorektalit, pankreasit dhe prostatës, si dhe sëmundjes së Alzheimerit.

Në raport theksohet se vendi renditet ndër vendet me prevalencën më të lartë të konsumit të duhanit në botë dhe numrin mesatar më të lartë të cigareve të tymosura tek të rriturit dhe të rinjtë. Por, siç shkruan, vërehet një ulje e shkallës së pirjes së duhanit. Shkak për këtë, thonë, se është Ligji për ndalim të pirjes së duhanit në vende publike të miratuar në vitin 2010.

Në një notë pozitive, siç thonë nga OBSH-ja, konsumi i alkoolit tek të rriturit për kokë banori (3,8 litra) është nën mesataren e rajonit evropian të OBSH-së.

Është vërejtur një rritje e shkallës së mbipeshës dhe obezitetit mes të rriturve. Pothuajse dy të tretat ose 64.9 për qind e meshkujve dhe më shumë se gjysma e femrave, gjegjësisht 51.2 për qind, kanë qenë me mbipeshë në vitin 2016. Shqetëson edhe fakti që gjysma e popullsisë së rritur nuk është fizikisht aktive dhe vetëm 8.3 për qind e të rriturve praktikojnë rreth 150 minuta aktivitet fizik mesatar në javë, që është nën mesataren e Bashkimit Evropian.

Mbipesha vërehet edhe tek fëmijët shtatëvjeçarë, ku në periudhën nga viti 2010 dhe 2019 është rritur veçanërisht tek vajzat, nga 30.9 për qind në 30.8 për qind, tregojnë të dhënat nga raporti.

Ajri i ndotur është faktor kryesor rreziku për sëmundjet e frymëmarrjes tek fëmijët, thonë nga OBSH-ja. Vendi ka një nga nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë, veçanërisht në kryeqyteti Shkup. Sipas të dhënave nga raporti, në vitin 2019, vlerësohet se një në shtatë rastet e vdekjeve (13.7 për qind) në shtet ka qenë për shkak të cilësisë së keqe të ajrit.

Prevalenca e gjendjes së frymëmarrjes, duke mos përfshirë infeksionet ose pneumoninë është veçanërisht e lartë tek fëmijët e moshës 0 deri në 14 vjeç. Në vitin 2019, 39.8 për qind nga morbiditeti tek fëmijët lidhet me sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes. Nga OBSH-ja thonë se fëmijët të moshës parashkollore në mjediset urbane kanë dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundje të frymëmarrjes sesa ata në mjediset rurale.

Katërmbëdhjetë raportet e reja u prezantuan në seancën e 72-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Evropën në Tel Aviv, Izrael më 12 shtator të këtij viti. Çdo raport përmban informacione më të reja për vendin lidhur me organizimin e sistemit shëndetësor, strategjitë për financimin dhe mbrojtje financiare, qasje në resurse dhe shërbime, përmirësim të shëndetit të popullatës, strategjitë për rezistencë antimikrobike dhe progres drejt përmbushjes së Programit Evropian të Punës të OBSH-së.

Related posts

A ndihmon konsumimi i vezëve në humbje të peshës?

Gazetamax.mk

Shkaktarët më të shpeshtë që ndikojnë në zhvillimin e kancerit

Gazetamax.mk

Morena Taraku për ditëlindjen e saj preu 10 torte, këto janë urimet më të mira për të

Gazetamax.mk