Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në Manastir ka mbajtur një fjalim me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip, ku ka vënë në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe rolin e gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Gonxhja, duke iu drejtuar përfaqësuesve të institucioneve, akademikëve, artistëve dhe qytetarëve të pranishëm, theksoi se Kongresi i Manastirit nuk përfaqëson vetëm një ngjarje historike, por një proces të vazhdueshëm bashkimi kombëtar, i cili vazhdon të jetojë përmes gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Ai rikujtoi kontributin e figurave të njohura të Rilindjes Kombëtare, si Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët së bashku me delegatët e tjerë hodhën themelet e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe.
“Nëntori është muaji ku nisëm të shkruajmë lirinë tonë me 36 shkronjat e Manastirit, për ta vulosur katër vjet më vonë me ngritjen e flamurit në Vlorë”, u shpreh Gonxhja.
Një pjesë të veçantë të fjalimit ia kushtoi edhe të rinjve pjesëmarrës në Forumin Mbarëkombëtar “Foli Shqip”, duke vlerësuar angazhimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e kulturës shqiptare.
Sipas tij, gjuha dhe kultura nuk janë thjesht trashëgimi që ruhen në muze, por janë pjesë e gjallë e përditshmërisë, përmes së cilave të rinjtë mendojnë, krijojnë dhe ndërtojnë të ardhmen.
Ministri Gonxhja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me qëllim që Manastiri të vazhdojë të jetë një pikë e rëndësishme referimi e trashëgimisë shqiptare dhe e turizmit kulturor.
Ai bëri thirrje që ura e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të tri vendeve të mbahet funksionale gjatë gjithë vitit, duke krijuar më shumë mundësi për të rinjtë në fushën e kulturës, turizmit, sportit dhe dijes.
Në përfundim të fjalimit, Gonxhja uroi shqiptarët për Ditën e Alfabetit dhe festat e Nëntorit, duke theksuar simbolikën bashkuese të 36 shkronjave të alfabetit shqip.
