Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë paraqitjes së tij sonte në emisionin „Top Tema“ në TV Telma, duke folur për zhvillimet rreth „Alta Bankës“, deklaroi se nëse Davor Macura ka punuar me kapital rus, shtrohet pyetja pse qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së kishte hyrë në marrëdhënie biznesi me këtë bankë.
„Nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë. E rëndësishme është nëse ai, kur hyri në Maqedoni, i plotësoi apo jo kushtet ligjore. Ai hyri duke i plotësuar ato. Supozoj se pikërisht mbi bazën e këtyre kushteve ligjore është vlerësuar se mund ta fitojë të drejtën për të administruar një bankë, aksionet e së cilës ishin shitur nga pronarët privatë. Në këtë rast bëhet fjalë për ‘Alta Banka Serbia’“, deklaroi Mickoski.
I pyetur për faktin se „Alta Pay“ nuk arriti të hyjë në këtë proces, Mickoski u përgjigj:
„Po, nuk hyri. Natyrisht që nuk hyri, sepse një shoqëri pagesash nuk mund të bëhet pronare e një banke. Në Maqedoni kemi shumë raste të tilla, ku është tentuar diçka e ngjashme, por nuk është lejuar. Kjo për shkak se edhe ne kemi detyrime ndaj Bankës Qendrore Evropiane dhe detyrime në kuadër të SEPA-s. Prandaj, rasti është plotësisht i qartë. Por ajo që ndodhi më herët është fakti se të njëjtët persona, të cilët tani e akuzojnë Davor Macurën, kishin hyrë në marrëdhënie biznesi me të dy vjet më parë“, theksoi Mickoski.
