Një pretendim i bujshëm që përfshin drejtpërdrejt Shqipërinë në një operacion ushtarak kundër Rusisë po qarkullon në mediat dhe platformat ndërkombëtare të specializuara për konfliktet ushtarake. Sipas platformës gjeorgjiane “Visioner”, dronë detarë që goditën një anije luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi, dyshohet se janë nisur nga brigjet shqiptare, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
Platforma “Visioner”, e cila monitoron zhvillimet ushtarake dhe gjeopolitike, ka publikuar edhe një hartë ku paraqitet një itinerar i mundshëm nga Vlora drejt Bengazit, duke pretenduar se mjetet detare pa ekuipazh kanë realizuar një operacion në distancë të jashtëzakonshme përpara se të godisnin objektivin rus.
Një pretendim të ngjashëm ka publikuar edhe platforma e njohur e informacioneve ushtarake “Clash Report”, e cila, duke iu referuar një burimi anonim, pretendon se dronët nuk janë nisur nga Libia perëndimore, por nga Shqipëria. Sipas këtij burimi, forcat ushtarake në Libinë lindore kishin identifikuar nisjen, ndërsa versioni për një bazë ukrainase në territorin libian ishte përhapur për të fshehur origjinën e operacionit.
Sulmi ndodhi më 22 nëntor 2026, kur korveta ruse “Merkury”, e ankoruar në bazën detare të Bengazit, u godit nga dronë detarë, duke pësuar dëmtime katastrofike. Pamjet satelitore të publikuara pas sulmit tregojnë anijen të përmbysur dhe pjesërisht të fundosur.
Por mediat e mëdha ndërkombëtare japin një version tjetër për vendin nga u nisën dronët. Agjencia Associated Press, duke cituar dy zyrtarë ushtarakë libianë, raporton se dronët ishin lëshuar nga një bazë e kontrolluar nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore. Sipas hetimeve paraprake, katër dronë u interceptuan dhe u shkatërruan, ndërsa dy të tjerë arritën të godisnin anijen ruse.
Edhe Reuters, The Guardian dhe Al Jazeera kanë raportuar për sulmin dhe fundosjen e anijes, por nuk kanë konfirmuar pretendimin për nisjen e dronëve nga Shqipëria. Sipas Reuters, të paktën dhjetë shtetas rusë dhe libianë mbetën të plagosur.
Anija ruse ndodhej në Bengazi për furnizime me karburant dhe materiale, në kuadër të bashkëpunimit ushtarak të Moskës me autoritetet e Libisë lindore, të lidhura me komandantin Khalifa Haftar.
Përfshirja e mundshme e territorit shqiptar do të përbënte një zhvillim me pasoja të rëndësishme diplomatike dhe ushtarake, duke pasur parasysh se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Megjithatë, nisja e mundshme e dronëve nga një territor nuk provon automatikisht përfshirjen e qeverisë së atij vendi apo të Aleancës.
Deri tani nuk ka prova publike të verifikueshme që konfirmojnë nisjen nga Vlora apo ndonjë port tjetër shqiptar.
Reagimi i Shqipërisë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përgënjeshtruar raportimet sipas të cilave sulmi me dron ndaj një anije ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thekson MEPJ.
Duke i cilësuar këto pretendime pa prova, ministria i ka hedhur kategorikisht poshtë, ndërsa thekson se nuk ka asnjë përfshirje të Shqipërisë në këtë ngjarje dhe as të territorit të saj
“U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë”, thekson MEPJ.
Sipas raportimeve të fundit anija ruse ka shpërthyer në bazën detare të Bengazit, në Libinë lindore, ndërsa autoritetet vendase dyshojnë se ajo mund të jetë goditur nga dronë.
