Aksioni i institucioneve të Kosovës për rrënimin e ndërtimeve pa leje pranë Liqenit të Ujmanit ka nxitur reagime nga Beogradi dhe Lista Serbe, duke rikthyer në vëmendje përplasjet politike rreth zhvillimeve në veri të vendit. Serbia e ka paraqitur këtë veprim si shkelje të të drejtave të komunitetit serb, ndërsa institucionet e Kosovës e kanë arsyetuar me zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e pronës publike.
Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi, i cili vlerëson se aksionet për rikthimin e normalitetit ligjor në veri duhet të vazhdojnë, pavarësisht kundërshtimeve nga Beogradi dhe Lista Serbe.
Ai thotë se për një kohë të gjatë veriu i Kosovës është karakterizuar nga paligjshmëria dhe ndikimi i grupeve kriminale, ndërsa ndërhyrjet e institucioneve pas vitit 2023 kanë synuar rikthimin e autoritetit shtetëror në këtë pjesë të vendit.
“Prej javësh e madje muajsh vazhdon në veri të Kosovës një aksion i agjencive të zbatimit të ligjit për të rikthyer normalitetin ligjor në këtë zonë. Paligjshmëria ishte deri në vitin 2023 tipari thelbësor i jetës së përditshme në komunat e veriut. Për gati çerek shekulli këto komuna jetuan në një oaz ku dominoi krimi i organizuar dhe grupet terrorizuese, sidomos për popullsinë serbe në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, institucionet e Kosovës ndërmorën hapa për forcimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, por këto veprime u kundërshtuan nga Serbia, Lista Serbe dhe një pjesë e aktorëve politikë vendorë e ndërkombëtarë.
Duke folur për reagimet e Beogradit ndaj aksionit të fundit, Bytyçi thotë se Serbia vazhdon të përdorë të njëjtën retorikë për ta paraqitur zbatimin e ligjit si cenim të të drejtave të komunitetit serb.
“Një ndër aktet shtetërore është që të ndëshkohen ata që kanë shkelur ligjin në fushën e urbanistikës. Natyrshëm duhet besuar se në veri të Kosovës, në mungesë të shtetit, paligjshmëria ka bërë shumë dëme. Shteti ka të drejtë ta rikthejë gjithçka në normalitet. Pikërisht këtë gjë po e bën ai, kur ndërhyn për të prishur ndërtimet pa leje, kudo që ato kanë ndodhur dhe sidomos në zonat ku qeveria ka plane për zhvillim të turizmit apo sektorëve të tjerë të jetës ekonomike, sociale dhe të sigurisë”, deklaron ai.
Profesori thekson se kundërshtimi i këtyre aksioneve lidhet edhe me prekjen e interesave të grupeve kriminale dhe të personave që kanë përfituar nga paligjshmëria në veri. Megjithatë, ai nënvizon se institucionet duhet të bëjnë dallimin ndërmjet ndërtimeve të lidhura me veprimtari të paligjshme dhe shtëpive të qytetarëve që nuk janë të përfshirë në aktivitete të tilla.
Në këtë drejtim, Bytyçi kërkon që rastet të shqyrtohen veç e veç dhe që, kur plotësohen kushtet ligjore, të shqyrtohet mundësia e legalizimit të ndërtimeve që nuk cenojnë pronën publike apo interesin e përgjithshëm.
“Nëse ka shtëpi banimi të ndërtuara pa leje dhe këto shtëpi banimi janë për njerëzit e paimplikuar në paligjshmëri të tjera, ato duhet të studiohen rast pas rasti dhe të mos prishen, por të legalizohen me leje të posaçme. Por gjithmonë nëse këto ndërtime nuk janë bërë në pronat e shtetit dhe nëse ato nuk pengojnë zhvillimin urbanistik dhe investimet e zonës”, thekson Bytyçi.
Ai vlerëson se një qasje e tillë nuk e dobëson autoritetin e shtetit, por dëshmon se institucionet veprojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, duke mbrojtur njëkohësisht interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve.
Bytyçi thotë se lufta kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë duhet të shoqërohet edhe me një strategji të gjerë zhvillimore për komunat veriore. Sipas tij, Qeveria dhe Kuvendi duhet të investojnë në ekonomi, punësim, arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të barabarta dhe të integrohen më shumë në institucionet e Kosovës.
“Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të kujdesen paralelisht si për zbatimin e ligjit në mënyrë rigoroze, edhe për investime të mëdha në këto komuna. I duhet ndryshuar pamja veriut të Kosovës. Duhen hapur vende pune pa fund dhe për këtë janë të gjitha mundësitë. Duhet një trajtim social i përparuar dhe një zhvillim urban, arsimor, në shëndetësi e infrastrukturë model”, shprehet ai.
Në fund, profesori Bytyçi vlerëson se Serbia e përdor vazhdimisht paraqitjen e serbëve si viktima për të ngritur akuza ndaj Kosovës dhe për të kundërshtuar veprimet e institucioneve të saj. Ai thekson se zhvillimi ekonomik dhe social i veriut, krahas zbatimit të ligjit, do t’i mundësonte Kosovës të dëshmonte para partnerëve ndërkombëtarë se synon integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
“Viktimizimi është melodia që Serbia e ka luajtur historikisht kur ka qenë fjala për t’i akuzuar shqiptarët si ‘dhunues’”, përfundon profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info
