GazetaMax
Lajme

Vazhdon debati në komision për gjendjen e krizës në energjetikë

Shkup, 27 shtator – Komisioni kuvendor për mbrojtje dhe siguri sot për të pestën ditë do të diskutojë për vazhdimin e afatit për ekzistim të gjendjes së krizës në tërë territorin e shtetit, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjeve në tregjet e energjisë elektrike dhe për ekzistim të gjendjes së krizës në rajonin e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë ngrohëse, mundësisë për shfrytëzim të derivatit alternativ dhe gjendjeve në tregun e energjisë ngrohëse.

Dje në mbledhje diskutuan vetëm deputetët nga radhët e VMRO-DPMNE-së, të cilët akuzuan për “paaftësi” gjatë menaxhimit me gjendjet e krizës në shtet.

Deputetja nga VMRO-DPMNE, Rashela Mizrahi në fjalimin e saj tha se gjendja e krizës duhet të shpallet për shkak të qytetarëve, por pushteti, sipas saj, “nuk din të përballet me problemet e dala nga kriza”.

Edhe Angelika Petkova nga VMRO-DPMNE theksoi se sipas statistikave, shteti është në gjendjen më të keqe me krizën energjetike.

Nga Qeveria, ndërkaq, dje kumtuan se kërkohen zgjidhje adekuate dhe porositën se qytetarët e Qytetit të Shkupit do të kenë ngrohje dhe në pajtim me ligjin për energjetikë është garantuar veprimtaria publike të kryhet në tërësi pa ndërprerje.

“Qeveria së bashku me institucionet kompetente po punon vazhdimisht për të siguruar burimet e nevojshme për prodhimin e energjisë termike me çmime sa më të favorshme në mënyrë që familjet të kenë shpenzime më të ulëta. Në veçanti, kërkohet zgjidhja më e mirë për sigurimin e çmimit më të ulët të gazit ose mazutit për të parandaluar rritjet e mëdha të çmimeve dhe për t’u mos u shtrenjtuar ngrohja”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Megjithatë, nga kompania BEG – Prodhimtaria janë decid se nuk kanë bazë juridike të disponojnë me ngrohtoret, nuk kanë obligim për vazhdim të ushtrimit të veprimtarisë në sezonin e ri ngrohës, as ndërkaq mundësi financiare dhe aftësi kreditore për furnizim të derivatit për prodhim të energjisë ngrohëse.

Nga kompania theksojnë se në përputhje me nenin 51 të Ligjit për energjetikën, kishin detyrim ligjor që të vazhdonin ushtrimin e aktivitetit, deri në skadimin e afatit prej 90 ditë për zgjedhjen e ushtruesit të ri të aktivitetit, i cili tashmë ka skaduar. Gjatë kësaj periudhe, thonë ata, BEG Prodhimtaria ka vazhduar të kryejë aktivitetin dhe ka kryer të gjitha aktivitetet e nevojshme në ngrohtoret në mënyrë që mbajtësi i ri i licencës të mund të fillojë pa probleme sezonin e ri të ngrohjes.

“BEG Prodhimtaria nuk ka bazë ligjore për shfrytëzimin e ngrohtoreve sepse marrëveshja është ndërprerë dhe pronari i ri i ngrohtoreve ka kërkuar dorëzimin e tyre. Gjithashtu, kompania është në pamundësi financiare për të kryer aktivitetin, për shkak të humbjeve të mëdha të shkaktuara në sezonin e kaluar të ngrohjes si pasojë e rritjes disafish të kostove për blerjen e energjisë dhe energjisë elektrike, të cilat nuk mbuloheshin nga tarifat e miratuara nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. Për këto arsye më 09.06.2022 BEG – Prodhimtaria ka paraqitur kërkesë në KRRE për ndërprerjen e licencës me qëllim zgjedhjen e menjëhershme dhe pa probleme të bartësit të ri të licencës për aktivitetin e prodhimit të energjisë termike për sezonin e ri të ngrohjes. Më datë 20.06.2022 KRRE ka marrë vendim për ndërprerjen e licencës së BEG-Prodhimtari”, theksuan nga kompania.

Nga Komisioni rregullator për energjetikë – KRRE, ndërkaq kumtuan se obligimi për ushtrim të veprimtarisë publike prodhim i rregulluar i energjisë ngrohëse ndërpritet me ditën e dhënies së licencës, në këtë rast ushtruesi i ri i veprimtarisë.

Nga KRRE theksojnë se ushtrimi i veprimtarisë publike prodhim i energjisë ngrohëse nga prodhuesi i rregullt është definuar saktësisht në Ligjin për energjetikë ku imperativi themelor i ushtruesit të veprimtarisë publike është të sigurojë prodhim të sigurt, të vazhdueshëm dhe cilësor të energjisë ngrohëse.

Edhe zëvendëskryeministri për energji elektrike, Fatmir Bytyqi gjatë fundjavës deklaroi se derisa nuk zgjidhet operatori ekonomik, BEG duhet të dërgojë energji ngrohëse, Ai theksoi se në pajtim me ligjin BEG duhet të ketë edhe rezerva të gazit dhe lëndëve të tjera të para në mënyrë që të sigurojë energji ngrohëse.

Sezoni ngrohës fillon më 15 tetor.

Related posts

Vazhdon debati për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues në seancën e 88-të

Gazetamax.mk

Protestë në Kumanovë, banorët i kërkojnë Dimitrievskit të mbajë premtimin për rrugën

Gazetamax.mk

Kryeministrja finlandeze Marin nesër dhe pasnesër për vizitë zyrtare në vend

Gazetamax.mk