Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka njoftuar se po vazhdojnë me dinamikë të shkëlqyer punimet për rikonstruksionin e sallës sportive në Shkollën Fillore Komunale "Panajot Ginovski" në Butel 2. Sipas tij, për herë të parë pas 70 vitesh po realizohet një rinovim i plotë i sallës, me vendosjen e dyshemesë së re, rikonstruksionin e nyjeve sanitare dhe ndërtimin e zhveshtoreve të reja, duke krijuar kushte shumë më cilësore për zhvillimin e edukimit fizik dhe aktiviteteve sportive.
Kostovski theksoi se projekti po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa rikujtoi se në këtë shkollë tashmë është vendosur një fasadë e re energjetikisht efikase dhe është ndërtuar një fushë moderne futbolli me bar artificial. Ai bëri të ditur se së shpejti do të nisin edhe punimet për zgjerimin e objektit shkollor, me qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin e mësimit në një ndërrim. Sipas tij, Komuna e Butelit mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve kapitale që rrisin cilësinë e procesit arsimor.
