Imrane Morina, e cila para rreth katër vitesh ka doktoruar në Universitetin e Shkupit, ka ndarë një përvojë që, siç thotë ajo, e ka përjetuar në Kosovë gjatë një vizite në Prishtinë për nostrifikimin e diplomës.
Morina ka treguar se, vetëm për shkak se mban shami, disa persona që ka takuar kanë menduar se ajo kishte ardhur për të nostrifikuar diplomën e shkollës së mesme.
„Sa shoqëri paragjykuese jemi…?!
Sot në Prishtinë isha për t’i dërguar diplomat për nostrifikim. Dhe pothuajse çdo person që takova më pyeti nëse më duhej nostrifikimi për shkollë të mesme. E vetmja arsye ishte se jam me shami“, ka shkruar Morina.
Ajo thotë se përvoja nuk lidhej vetëm me pyetjen që iu bë, por edhe me mënyrën se si u ndje e trajtuar.
„Dhe po, kjo dhemb. Jo vetëm për shkak të pyetjes, por edhe për mënyrën se si trajtohesh.
Edhe pritja dhe trajtimi brenda institucionit, për të qenë e sinqertë, nuk lanë shumë për të dëshiruar“, rrëfen ajo.
Morina tregon edhe një tjetër situatë që e ka bërë të reflektojë. Sipas saj, edhe jashtë institucionit, kur u drejtohej qytetarëve për të kërkuar ndonjë informacion, disa prej tyre i drejtoheshin në turqisht, duke supozuar se shamia nënkuptonte automatikisht se ajo nuk fliste shqip.
„Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se sa shpejt jemi të gatshëm ta gjykojmë një njeri vetëm nga pamja e tij.
Dhe sa shumë ka ndikuar islamofobia në Kosovë në krijimin e një imazhi të deformuar dhe të shtrembëruar për njerëzit fetarë. Sikur shamia të ishte dëshmi e mungesës së arsimimit, prapambetjes apo mungesës së ambicies“, shprehet Morina.
Ajo thekson se pamja e jashtme nuk mund të jetë kriter për të gjykuar dijen, profesionin apo aftësitë e një personi.
„Por të dashur vëllezër dhe motra, pas një shamie mund të jetë një profesoreshë, një mjeke, një juriste, një shkencëtare, një artiste, një profesioniste… një grua me dije, përvojë dhe kontribut të madh në shoqëri.
Nuk mund ta lexosh një njeri nga veshja e tij.
Mos e gjykoni një njeri pa e njohur.
Sepse ndonjëherë, paragjykimi që për ty është vetëm një mendim, për tjetrin është një përvojë që dhemb. Dhe që të bën të ndihesh i huaj në vendin tënd“, ka përfunduar Morina.
