Wednesday, April 29, 2026

Lajmi në kohë reale

MEPSO aplikoi për statusin PECI për projektin “Korridori interkonektues Lindje-Perëndim 400 kV, Seksioni perëndimor”

ShA MEPSO aplikoi për të fituar statusin PECI (Projekt me interes për komunitetin energjetik) për projektin “Korridori interkonektues Lindje-Perëndim 400 kV, Seksioni perëndimor”, i njohur si një projekt me rëndësi të veçantë rajonale dhe strategjike.

Projekti parasheh ndërtimin e një linje largpërçuesi 400 kV nga Tetova deri në Prizren, duke krijuar kështu një lidhje të re direkte elektroenergjetike mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sistemit të Republikës së Kosovës. Korridori Shkup – Tetovë – Ohër, me lidhje ndërkufitare drejt Prizrenit, do të forcojë ndjeshëm rrjetin e transmetimit në pjesën perëndimore të vendit. Gjatësia totale e seksionit perëndimor arrin rreth 255 km.

Element kyç i projektit është ndërtimi i një trafostacioni të ri 400/110 kV në Tetovë, si dhe mundësia për ndërtimin e një trafostacioni të ri 400/110 kV në Osllomej, që do të mundësojë integrim më të mirë të kapaciteteve ekzistuese dhe të planifikuara të prodhimit, përfshirë burimet e ripërtëritshme të energjisë, si dhe fleksibilitet më të lartë operacional të sistemit.

Projekti ka dimensione të qarta rajonale dhe është komplementar me projektin tashmë të aprovuar PECI për përmirësimin e korridorit Kosovë – Shqipëri (Prizren – Fierzë) në nivel 400 kV.

Projektet PECI përfaqësojnë projekte infrastrukturore prioritare në fushën e energjisë elektrike dhe gazit, që kanë ndikim të rëndësishëm në më shumë se një vend anëtar të Komunitetit Energjetik. Dhënia e statusit PECI përbën njohje zyrtare të rëndësisë strategjike të projektit dhe mundëson koordinim më të mirë institucional mes vendeve pjesëmarrëse, përgatitje dhe realizim më të shpejtë të projektit, qasje më të lehtë në instrumente financiare ndërkombëtare, asistencë teknike dhe mbështetje nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Realizimi i këtij projekti do të kontribuojë drejt rritjes së sigurisë dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik, integrim më të mirë të tregut, ulje të kufizimeve të rrjetit, krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit energjetik në vend dhe në rajon.

Latest Posts

Mos e humb lajmin