Tërmeti i fuqishëm në Los Angeles alarmon aeroportin, pilotëve u kërkohet të ndërpresin uljen e aeroplanëve

Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur të shtunën në mëngjes zonën e Los Angelesit në Kaliforni të SHBA-së, ndërsa lëkundjet janë ndier edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit (LAX).

Gjatë tërmetit, një kontrollor i trafikut ajror në këtë aeroport ka ndier lëkundjet dhe u ka kërkuar pilotëve të aeroplanëve që po afroheshin drejt pistës të ndërprisnin procedurën e uljes dhe të kryenin një rrethim të ri.

Sipas raportimit të mediumit amerikan ABC7 Los Angeles, komunikimi mes kontrollorit dhe pilotëve ka kapur momentin kur u dha udhëzimi për ndërprerjen e afrimit drejt pistës.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) ka bërë të ditur se tërmeti është regjistruar rreth orës 09:30 të mëngjesit, me epiqendër rreth gjashtë milje (9.6 kilometra) larg bregdetit të Manhattan Beach.

Pilotët janë udhëzuar të zbatojnë procedurat e sigurisë dhe të mos vazhdojnë me uljen derisa të marrin udhëzimet përkatëse nga kontrolli i trafikut ajror.

Burimi:botasot.info