Nga Llausha nisi një kapitull i ri i historisë, ish-komandanti Hadërgjonaj flet për daljen publike të UÇK-së

Dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt, shënoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës dhe të përpjekjeve për çlirimin nga pushtimi serb.

Kjo ngjarje ndodhi gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci, i cili ishte vrarë nga forcat policore serbe. Në këtë ceremoni, luftëtarët e UÇK-së u shfaqën publikisht para qytetarëve, duke bërë të njohur praninë e organizuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ngjarja u përcoll me interesim të madh dhe shënoi një moment të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe ushtarake të asaj kohe. Ajo u bë simbol i rezistencës së armatosur dhe i vendosmërisë për liri e pavarësi.

Deputeti i LDK-së dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Hadërgjonaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e Kosovës.

Ai theksoi se ky veprim ishte rezultat i represionit, dhunës dhe torturave të ushtruara nga pushteti serb, duke i dhënë një dimension të ri përpjekjeve për liri dhe pavarësi.

Sipas tij, kjo ngjarje mbetet historike edhe për shkak të simbolikës së 28 Nëntorit dhe zhvillimeve që pasuan deri në çlirimin e Kosovës.

“Dalja publike e UÇK-së në ceremoninë e varrimit të mësuesit Halit Geci, i vrarë nga forcat policore serbe, i dha një dimension të ri dhe dinamik përpjekjeve për liri dhe pavarësi.

Dalja e UÇK-së ishte rezultat i represionit, dhunës, burgosjeve dhe torturave që ushtronte pushtuesi.

Në historinë më të re të Kosovës, dalja publike e UÇK-së në Llaushë mbetet një ngjarje me rëndësi të madhe historike në vetvete, gjithsesi edhe marrë parasysh simbolikën e datës 28 Nëntor, e cila ngërthen në vetvete ngjarje madhore të historisë sonë kombëtare, si dhe zhvillimet të cilat do të pasojnë deri në çlirimin definitiv të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Burimi: botasot.info