Krushevë, 1 Tetor – Me Bullgarinë vetëm po ecim rrotull, ndërsa e vetmja zgjidhje vlerësoj se është heqja e vetos si mënyrë e vendimmarrjes në BE. Jo vetëm në politikën e jashtme por edhe në atë të brendshme, pasi BE-ja shpesh ka probleme me disa veto të caktuara të vendeve. Për pezullimin filloi të flitet në BE, por është proces i gjatë, deklaroi ish-ambasadori Jovan Tegovski, i cili merr pjesë si mysafir dhe ligjërues në Konferencën e 20-të ndërkombëtare që mbahet në Krushevë me të rinj prej 24 vendeve me titull “Vlerat evropiane për të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore”.
“Rruga për të dalë është ndryshimi i rregullave të BE-së dhe heqja e vetos si mënyrë vendimmarrjeje. Vetëm kur shtetet anëtare nuk do të mund të vënë veton për çështjet dhe vendimet e politikës së jashtme, mund të pritet një zgjidhje. Të mos harrojmë se javët e fundit, kancelari Sholc dhe presidenti francez Makron kanë folur tashmë hapur për këtë temë, për nevojën e heqjes së vetos. Por të mos gënjehemi, është një proces i gjatë”, tha Tegovski.
Ai kujtoi edhe se kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen gjatë fjalës së saj para Parlamentit Evropian në Strasburg, tha se ka ardhur koha që të konvokohet konventa evropiane si hapi i parë i përgjigjes për ndryshimin eventual të marrëveshjeve me Lisbonën, ndërsa një prej arsyeve kryesore për këtë është vetoja.
“Dhe jo vetëm vetoja në lidhje me çështjen e politikës së jashtme, por edhe vetoja brenda Unionit. Dihet se Hungaria dhe Polonia vendosën pengesa të ndryshme dhe përdorën të drejtën e vetos në politikat e brendshme të BE-së”, shtoi Tegovski.
Ai vlerësoi edhe se “propozimi francez”, me të gjitha mangësitë dhe anët e mira, siç tha, është vetëm bazë që përfundimisht të fillohet procesi i negociatave.