GazetaMax
Ballina

Rrëfehet Alketa Vejsiu: Nga projektet për një “reality show”, te formula e suksesit

Alketa Vejsiu nuk preferon të jetë shpesh pjesë e mediave. Ajo e njeh botën mediatike, ia di meritat dhe “ngërçet”, ndaj edhe ka preferuar të jetë mikpritësja, dhe jo e ftuara. Përballë moderatores, mund të kesh pafund pyetje për t’i drejtuar, që nga dinamikat e shfaqjeve që drejton, karriera që njeh vetëm ngjitje, modeli i femrës shqiptare.

Mes rreshtave njihemi me një Alketë tjetër, një natyrë romantike dhe ëndërrimtare. Në “Love Story” i beson dashurisë, duke preferuar të qëndrojë neutrale në debate, por gjithnjë deri kur nuk preket dinjiteti i femrës. Më pas, prezantuesja nxjerr në pah një tjetër anë të sajën, atë që ajo modestisht nuk e quan “super grua”, por që në fakt shërben si model jo vetëm për ekranet, por edhe për çdo grua.

Si nënë, Alketa ka një këshillë të vyer për fëmijët e saj, por edhe për të gjithë brezin e ri. E si një femër që shfaqet gjithnjë në “top” formë, ka një guidë të vërtetë. Ndaj, për këto dhe për shumë arsye të tjera, ne e kemi quajtur formula e suksesit të Alketa Vejsiu. Alketa Vejsiu është ndër personazhet që është rritur në skenë, ndonëse ende sot ajo vijon këtë proces.

Duket si një formulë suksesi, por në fakt është një histori që ka brenda shumë punë dhe disiplinë të hekurt, për t’u shndërruar sot në moderatoren e preferuar të shqiptarëve. “Super grua është edhe ajo qe dështon e ringrihet, ajo që fiton pak, por jeton me dinjitet, ajo që s’bën 10 gjëra, por bën një dhe e bën shkëlqyeshëm, ajo që s’bën asgjë, por drejton dhe mëkon me dashuri familjen e saj”, është ky përkufizimi që Alketa Vejsiu ka për një “super grua”.

Riktheheni në krye të një sezoni të ri me “Love Story”, si ka qenë për ju deri tani ky format?

Unë e nisa me idenë e një përralle moderne romantike. Kisha ndjekur versionin amerikan të “The Bachelor” apo versionin italian të “Uomini e Donne” dhe ishin programe që linin një ndjesi të mirë kur i shihje. Dashuria dhe romancat kanë patjetër dramat, debatet dhe problemet e tyre edhe në jetën e vërtetë; por shpesh show, në versionin shqiptar, ka devijuar nga romanca në diskutime me tone të ashpra që e vrasin emocionin.

Cili çift ju ka pëlqyer?

Më ka pëlqyer shumë Dea dhe Albioni. Nuk e di si do t’u shkojë historia jashtë programit, por ata kishin një kimi të vërtetë që në takimin e parë. Kemi njohur vajza dhe djem shumë interesantë në të dyja edicionet. Ishte një show i guximshëm për shoqërinë tonë, me thënë të drejtën, por në mozaikun e gjithë produksioneve, që kam realizuar me skuadrën time, shumë mirë që nuk mungoi. Është një reflektim i pastër i asaj që është një pjesë e shoqërisë dhe rinisë shqiptare sot, me të mirat dhe dobësitë e veta. Shumë herë për mua formatet janë teste psiko-sociale për të kuptuar shoqërinë dhe publikun.

Mendoni që rinia shqiptare përfaqësohet më së mirë në “Love Story”?

Nuk mendoj që kasti është reflektimi i gjithë rinisë. Ka plot të tjerë të cilët nuk ndihen absolutisht të përfaqësuar aty për dy arsye. Shpesh niveli i diskutimit dhe optika e të parit dhe analizuarit të gjërave lë për të dëshiruar, dhe kjo për mendimin tim, vjen nga mungesa e dijes, nga mungesa e leximit. Të rinjtë shqiptarë nuk duhet të braktisin librat. Shumë njerëz e kanë të shenjtë dashurinë e refuzojnë të ekspozojnë këtë emocion kaq intim para të gjithëve. Por kohët kanë ndryshuar dhe, për aq kohë sa një pjesë e madhe e të rinjve e shfaqin gjithçka sot në rrjetet sociale, televizioni nuk kishte pse të bënte përjashtim. Por patjetër kasti nuk i përfaqëson të gjithë të rinjtë, dhe ka raste kur s’i përfaqëson ashtu siç duhet.

Sa ndjehet dashuria në skenë? Mendoni se ka pjesëmarrës që janë aty për famën dhe jo për qëllimin e formatit?

Mendoj që kush merr pjesë në formate si këto, ka disa shtysa: a. I pëlqen protagonizmi, ka një lidhje direkte ose indirekte me famën dhe dëshirën për t’u spikatur para një audience të gjerë. b. Vjen në këtë tipologji spektakli për të jetuar një emocion të fortë dhe një përvojë emocionale ndryshe. Kur shkon mirë një dashuri spektakolare dhe jeta prej çifti dixhital vazhdon përtej emisionit, është bukur. Në botë kjo përkthehet pastaj në të ardhura shumë të mira, çifti kthehet në ambasadorë markash mode, bukurie dhe lifestyle. Referuar “Uomini e Donne” shumë prej të rinjve që janë dashuruar në program, janë martuar e kanë lindur fëmijë. Krijojnë bizneset e tyre ose forcojnë ato që kanë pasur kur kanë hyrë në emision, dhe paguhen shumë mirë për marketing-un dixhital. Referuar misionit kryesor, gjetjes së dashurisë, skenari ideal për një fund jete lumtur për produksionet e kësaj natyre, është bashkimi i dy njerëzve dhe vazhdimi historisë përtej programit. Por megjithatë ka 3 skenarë finalja:

a)Fronisti propozon dhe merr një “jo” në fund nga kandidati.

b)Fronisti propozon, merr një “po” dhe çifti vazhdon lidhjen jashtë.

c)Fronisti del vetëm nga spektakli.

Mërziteni me diskutimet?

Shpesh mërzitem, po. Sepse janë shumë larg nga botëkuptimi im. Por unë mund të jap mesazhe, por s’mund të forcoj modelet. Njerëzit janë ata që janë. Po mund të përzgjedh më mirë modelet që promovoj në ekran. Është proces kompleks. Unë vetë besoj te dashuria dhe romancat, dhe doja shumë që në edicionin 1 të jepnim, përveç frymëzimit të një romance, edhe modelin se si djemtë shqiptarë duhet të sillen me kulturë, elegancë, butësi, me partneret e tyre; donim edhe vajzave t’iu jepnin fuqi, duke parë sa shumë histori dhune, fanatizmi dhe prapambetjeje e izolojnë gruan në Shqipëri, duke i kushtëzuar lirinë për të jetuar, për t’u emocionuar, për t’u dëgjuar, për të krijuar dhe punuar. Shumë polemika në web për mënyrën se si trajtohet gruaja në këtë format. Keni të drejtë! Sikur të isha djalë, do të veproja krejt ndryshe. Do të thosha së parimë shpesh fjalën “Më fal”. Meqë jam vajzë, jam në aleancë dhe solidaritet të plotë (pa demagogji, pa dashur që të jem moraliste, pa hipokrizi) me çdo vajzë që mund të jetë prekur në mënyrë direkte ose aksidentale nga gjuha që është përdorur aty nga aktorë të ndryshëm. Sa herë që një vajzë intimidohet, një tjetër aty jashtë humbet forcën për të qenë ajo që do të jetë; sa herë që një vajzë fyhet, aq herë është fyer çdo vajzë shqiptare. Kemi shumë përgjegjësi për këtë ne njerëzit e ekranit dhe unë reflektoj. Çdo vërejtje e lexoj me dashamirësi.

Ndërkohë, në rrjet është përfolur shumë se “Love Story” këtë sezon përpiqet t’i ngjajë më shumë “Përputhen”.Si u përgjigjet Alketa këtyre skeptikëve?

“Love Story” është frymëzuar nga “The Bachelor” dhe “Uomini e Donne”! Nuk frymëzohem nga programet shqiptare dhe që të mos ndikohem, nuk i shoh fare, asnjë minutë. Po, shoh postimet në web, që janë të pashmangshme, sepse drejtoj disa profile dixhitale dhe jam aktive online, por jo më shumë se aq. Më vjen keq që qëlluan në të njëjtën kohë. Nuk konkurroj me asnjë format apo grup produksioni paralel në Shqipëri. Kam respekt për punën e çdokujt që punon në industrinë time që është një xhungël e vështirë për të mbijetuar! Bora Zemanin p.sh. e pëlqej shumë. Ia kam thënë publikisht pëlqimin tim që kur vallëzonte te “Dance With Me” si konkurrente. Elokuente, e artikuluar, me sharm. Pastaj e ftova në sfilatën e “Class”. Bora ka qenë gjithashtu shumë pozitive sa herë na janë takuar interesat. E kam mbështetur si vajzë në sipërmarrjen e saj në biznes. Dhe ky duhet të jetë modeli apo jo? T’i përkrahim vajzat. Unë e bëj çdo ditë në mënyrën time. Me shumë modesti, por i kam përfunduar garat e mia në Shqipëri. Dua t’u qëndroj tani besnike parimeve të mia të të bërit televizion, të argëtoj me cilësi publikun dhe t’i gëzohem punës që e dua aq shumë, se koha vrapon më shpejt se ne.

Si kanë qenë përjetimet tuaja në këtë date show? Çfarë të pëlqen më shumë?

Më pëlqen pjesa e takimeve dhe filmave. Ato i shoh me interes. Më pëlqejnë mini skenaret romantike, atmosfera bukur që krijohet në takime, kam pasion montazhin dhe miksazhin( muzikat)… Një ditë do prodhoj filma dramë romancë ose seriale dashurie.Më pëlqen më pak pjesa e debatit.Unë nuk dua “Sherr Story”. Jam për dashurinë jo për luftërat, për debatin intelektual jo për debatin degjenerativ për klikime. Është si një fustan banal ai lloj debati, që unë refuzoj ta vesh edhe pse të gjithë mund të kthejnë kokën. Klasi nuk është ujë dhe korsia ime është pa zhurmë; është romantike, me frymëzim dhe dashuri për jëten dhe gjërat e bukura! Por unë jam pjesë e nje sistemi. Dhe elementet e sistemit jo gjithmonë ngjajnë dhe qasen njësoj si unë. Pranoj të ndryshmen dhe reflektoj veç për një gjë me përgjegjësi absolute publike. Sa hapsirë duhet t’i leme në ekran këtij diskursit që shqetëson? Ndërkohë shpesh ka situata që ndizen, dinamika që ndryshojnë, madje edhe përplasje, sa përfshiheni personalisht në këto momente? Më takon të jem neutrale por në momente të caktuara më takon të kem qëndrime!Revoltohem kur ka fyerje dhe ofendime.Jam pro debatit për kauza dhe principe por s’më pëlqen kur shinjestrohen njerëz!

Mendoni që personazhet që dalin nga date-show do të kenë jetëgjatësi si imazhe në televizion?

Kush është i zgjuar dhe ka diçka me vlerë për të bërë apo thënë po.Kush është bosh, s’ecën gjatë. Publiku dhe inteligjenca kolektive të duan kur vlen, ose të braktisin. Ka dhe personazhe komete që siç ndizen fiken shpejt, e qe s’kanë asgjë, asnjë talent, asnjë vlerë, por që bëhen trend. Nëse s’përfaqësojnë diçka me thelb, tëe shkurter e kanë jetën! “Trash Tv” prodhon shumë, por sita e publikut është shumë e imët edhe kur turma për momentin brohoret. Që të jetosh në kohë duhet talent, punë, vlera. S’të çojnë asgjëkundi scoopet, skandalet, fama e përkohshme!

Cila është këshilla juaj për të gjithë të rinjtë që aspirojnë ekranin? A ka një rrugë që duhet të ndjekin?

Të studiojnë, të lexojnë, të arsimohen.Të mos joshen nga jeta fallco e njerëzve të instagramit që postojnë jetën luksoze dhe fizikun e përsosur me 100 aplikacione duke i thënë çdokujt tjetër që punon dhe mundohet; “kot lodheni se ka një jetë më të bukur dhe të thjeshtë këtu”.Ju siguroj që është jetë e gënjeshtërt ajo në instagram e atyre sidomos që se kanë prodhuar nga vetja mirqënien. Veç tek vetja duhet të mbështetet njeriu. Të jetojë, punojë dhe prodhojë vete. Nëse ka fatin ta gjejë partnerin më të mirë dhe më të aftë se vetja, lum ai ajo! Nëse ka fat të jetë fëmija e dy prindërve të suksesshëm, fati saj/ i tij. Të mos shkelë mbi atë që kanë krijuar prindërit por ti përsosë dhe shumëfishojë. Dhe për këtë ka veç një rrugë. Studimi/ Edukimi dhe Puna! Puna s’të tradhton kurrë.

Tashmë e keni konfirmuar imazhin tuaj si ’super-woman’, grua në karrierë, profesionale, dhe e lumtur në jetën private. Por a mund të na zbuloni një fushë ku Alketa ‘dështon’?

Nuk mendoj që jam një super grua dhe këtë se them për tu dukur modeste as për populizëm.Por ju falenderoj. Super Grua është një etiketë pak prepotente supremacie, po mund te jem një vajze që frymëzoj dhe kjo është një arritje e madhe. Të frymëzoj përmes gjërave të bukura dhe të jem një model i mirë është mision me kuptim.Por super grua nuk është domosdoshmërisht ajo që bën shumë gjëra dhe për më tepër gjëra të mëdha, ajo që fiton para dhe mbërrin suksese.Super grua është edhe ajo qe dështon e ringrihet, ajo që fiton pak por jeton me dinjitet, ajo që sbën 10 gjëra por bën një dhe e bën shkëlqyeshëm, ajo që sbën asgjë por drejton dhe mekon me dashuri familjen e saj e ka bërë një gjë të madhe në jetë; super njeri të bën në fakt qofsh burrë apo grua, sa ti je një forcë ndikimi për ta bërë botën një vend më të mirë. Pyeteni veten; çfarë bëj unë përmes punës dhe shpenzimit të kohës sime për ta bërë botën një vend më të mirë! Nëse bëni diçka sado të vogël do ndiheni një super njeri, askush s’do tju bëjë të ndiheni të pafuqishëm apo të brishte!

Ndërkohë njiheni si një personazh hermetik në jetën tuaj private. A e keni menduar ndonjëherë të ‘dorëzoheni’ dhe të publikoni portretin e plotë të familjes?

Mendoj që nuk do ta bëj se gjërat e shtrenjta jam mësuar ti ruaj nga hienat dixhitale!

Cila është këshilla më e vyer që i jepni fëmijëve tuaj?

Të bëhen njerëz të mirë! Mbi çdo gjë tjetër ta bëjnë këtë botë një vend më të mirë. Dhe dua të kenë pushtet mbi jetën përmes autoritetit të dijes. Dua të mos jenë sipërfaqësorë. Njerëz me botë të pasur dhe me pasione.

Kur do ta shohim sërish Alketën në skenën ndërkombëtare?

Shpresoj sërish. Por Covidi na i preu fijet. S’është e thjeshtë ti rithuresh prapë. Por jam e lumtur që jetoj dhe punoj në Shqipëri, vendin ku u bëra dhe që me bëri kjo që jam të cilën edhe nëse unë e eksportoj përsëri jashtë kufijve, do t’i importoj njerëz, figura dhe sisteme ndërkombëtare këtu…Ndryshojnë kufijtë gjeografike dhe përmasat e tregjeve dhe fuqitë financiare, por jo emocioni.Emocioni në çdo skenë është njësoj sepse është raporti magjik që ka njeriu me pasionin dhe talentin e tij! Ju pamë në Londër me dy Kompani Produksioni botërore të fuqishme Itv Studios dhe Benijay/ Ish Endemol!

Kemi të reja? Thuhet që do sillni një reality show të fuqishëm në Shqipëri?

Po kemi një projekt ambicioz me Tv Klan për sezonin e ardhshëm por jemi në fazë vendimmarrje tani. Së pari dua të them që do rikthejmë X Factor dhe jam shumë e lumtur për këtë.Piter Pan është “shoë hit i familjes”, kështu që s’do mungojë.Janë dhe dy formate të tjera të reja vitin që vjen.

Ne Itali mediat pas Sanremos ju përkufizuan si miks të Maria De Filippi dhe Chiara Ferragni. Ju si e shikoni më shumë veten?

Faleminderit. Nje miks i të dyjave në fakt. Deri sa të kem forcë do jem në krye të prodhimeve televizive herë si drejtuese, herë si producente. Një dite mund të drejtoj një televizion ose sistem të tërë prodhimesh televizive. Kështu që nga TV nuk do iki kurrë. ( Jo domosdoshmërisht si prezantuese do me shihni).Ndërsa etiketimi si sipërmarrëse dixhitale është reflektimi i kohës që jetojmë dhe më përshtatet . Kam qenë gjithmonë një studente e mirë në marketing dhe menaxhim dhe kam pasur gjithmonë orientim të mire mbi të.Kam shume ide që kanë të bëjnë me zhvillimin dixhital të Kompanisë që drejtoj.

Cila është ëndrra më e madhe në biznes?

Të kem një brand ndërkombëtar që i kalon kufijtë e Shqipërisë. Shpresoj të kem fat se vizioni nuk mungon.

Çfarë mund të na tregosh për stilin tënd të jetës, ushqimin jeshil që promovon, rutinën tënde stërvitore? Te shohim që ndan vazhdimisht me shumë entuziasëm pamje nga stërvitja në palestër?

Po është e vërtetë. Shpresoj të frymëzoj dhe motivoj vajza të tjera.Përpiqem të jetoj dhe ha shëndetshëm. Ha Ushqim me bazë proteinike por edhe karboidrate të shëndetshme. Kam ndonjë javë të çmendur ( rrallë më ndodh por më ndodh), që ha vetëm ëmbëlsira dhe brum. Kur e shoh që dobësohem dhe jam tonifikuar mjaftueshëm e stakoj trurin ndonjëherë si protestë ndaj lodhjes me ushtrime.Nuk jam njeri i orëve të vona të natës. Gjumi cilësor është shumë i rëndë sishëm që të kem energji të mirë për të bërë gjëra dhe përballuar ditën.5 herë në javë ushtrohem.Kam një trajnere fantastike që më ka dispilinuar dhe më ka motivuar të besoj që mund tja dal.Ka pak lodhje 2/3 muajt e parë më thoshte në fillim, por nëse ja del të mos tërhiqesh këto muaj kur pjesa më e madhe e njerëzve dorëzohen, e fitove Alketa. Nuk u dorëzova.Më thotë edhe që sporti i nxjerr njeriut në pah karakterin, dhe është e vërtete paskam qenë më e vendosur dhe sportive seç mendoja. Bëj vegla/ pesha dhe cardio. Jam e kënaqur me veten dhe nuk ëndërroj të jem super modele por versioni më i mirë i asaj që mund të jetë trupi im.

Harxhon shumë kohë në SPA e parukeri?

Jo. Në jetë jam shumë e thjeshtë unë. Më pëlqejnë vajzat ujë dhe sapun. Vajzat me portret të pastër. Në skenë stisemi të gjithë nga pak është e vërtetë. Unë e kam merak estetikën e gjërave, fotografisë, videos. Shpesh përdor filtra, i ripunoj imazhet. Jo sepse dua të vendos standarde perfeksioni, por standarde estetike. E di që njerëzit duan të dinë e të shohin atë njeriun e vërtetë pa grim, duke larë dhëmbët me flokët e pa krehur në mëngjes por mua smë vjen mbarë. Se di… Për sa i takon çlodhjes, po në punojmë të gjithë për një jetë më të mirë për tu çlodhur. Udhëtoj shumë. Unë kohën se vras asnjëherë por relaksin e kam në stilin e jetesës si koncept. Masazhet ne i shohim si luks sepse paga mesatare në këtë vend është shumë e ulët dhe jo çdokush mundet, por para çdo trajtimi masazhi do ishte më i shëndetshmi dhe i vlefshmi për trurin, trupin dhe shpirtin.Vajtja në parukeri është një ritual kujdesi dhe respekti për veten. Kush ka mundësi ta bëjë mirë bën. Sigurisht nuk flasim për të ndenjturit parazit gjithë ditën në parukeri duke pirë kafe dhe duke bërë thashetheme.Kam një studio të këndshme për veten dhe gjithë vajzat që duan të marrin shërbimet kryesore aty.Lyerje floku, prerje stilim grim manicure pedicure. Jam përpjekur të ndërtoj një industri rreth vetes dhe bizneseve që drejtoj që ushqejnë njëra tjetrën.

Related posts

“Fotografitë e ditës” të Talat Xhaferit

Gazetamax.mk

A paralajmëron ndonjë projekt të ri Era Istrefi? Vjen me fotosesion…

Gazetamax.mk

Larja me ujë të ngrohtë për zemër të fortë

Gazetamax.mk