Një sulm kibernetik ka goditur ambientet e Coolworld, kompanisë që ka marrë përsipër mirëmbajtjen dhe kontrollin e kontejnerëve frigoriferikë dhe ngrirësve të Fondacionit Francez të Gjakut ( EFS ), ku ruhen rezervat e gjakut dhe plazmës.
Sulmi ndodhi natën e së dielës, deri të hënën. Hakerët shkelën sistemet e kontrollit të temperaturës, duke bërë që njësitë e ruajtjes së mostrave të gjakut të arrinin temperaturën në 110 gradë Celsius, sipas një raporti në gazetën javore franceze Le Canard enchaîné.
Këto njësi normalisht mbahen në një temperaturë prej -30 gradë Celsius , me qëllim ruajtjen e mostrave të gjakut nga dhuruesit e gjakut.
Autorët dyshohet se kanë shkelur sistemet e kontrollit të pajisjeve industriale, duke shfrytëzuar një dobësi në sistemet e Coolworld.
EFS raportoi se një teknik në detyrë vuri re rritjen e temperaturës në ambiente gjatë natës, gjë që lejoi që incidenti të identifikohej herët.
Nga ana e saj, Ministria Franceze e Shëndetësisë siguroi se nuk kishte ndikime në funksionimin e shërbimit, as në zinxhirin e transfuzionit dhe as tek pacientët, pasi problemi u identifikua në kohën e duhur.
EFS sqaroi se mostrat e ruajtura në mjedise ishin pjesë e një sistemi monitorimi shëndetësor që lidhej me transfuzionet e gjakut.
Incidenti vjen vetëm disa javë pas një sulmi të ngjashëm kibernetik që prishi sistemet e ftohjes së supermarketeve në Francë, por nuk është vërtetuar asnjë lidhje zyrtare midis dy incidenteve.
Burimi:botasot.info
