GazetaMax
Lajme

Më 1 nëntor vazhdon gjykimi për rastin “Softuerët”

Shkup, 13 tetor – Gjykimi për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili së bashku me gjashtë persona të tjerë akuzohen për blerje të paligjshme të softuerit, vazhdon më 1 nëntor, pasi në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale – Shkup u dëgjuan disa dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.

Procesi gjyqësor është në procedurë dëshmuese dhe e udhëheq gjykatësja Fanka Jançuleva Mihailovska, ndërsa përfaqësuese e akuzës është Ivana Trajçevska.

Në seancën e radhës janë thirrur katër dëshmitarë, ndër të cilët edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Në seancën e sotme, dëshmitarja e fundit që u dëgjua ishte Aneta Stefkovska, e cila në vitin 2020 ka punuar si ekonomiste në Sekretariatin e Përgjithshëm për furnizime publike të Qeverisë, e cila në dëshminë e saj para Gjykatës deklaroi se është bërë furnizimi i softuerit për matjen e shpejtësisë mesatare dhe se nuk ishte paraparë në planin vjetor, por ishte në ndryshim dhe plotësim, që është e njëjtë.

Dëshmitarja po ashtu tha se Rashkovski edhe kur ishte sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë, asnjëherë nuk ka dhënë udhëzim që të diskualifikohet nga procedurat e furnizimit publik.

Në pyetjen e Rashkovskit nëse si sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë e ka pranuar propozimin e Komisionit për furnizim publik, dëshmitarja është përgjigjur pozitivisht.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Rashkovski nuk i kishte kryer detyrat zyrtare gjatë zbatimit të katër procedurave për furnizim publik të sistemit për identifikim biometrik, furnizim publik të softuerit për përcaktimin e shpejtësisë mesatare të veturave në komunikacion dhe shqiptimin e gjobave, furnizim të kamerave ANPR për njohjen e targave të automjeteve dhe furnizim publik të kabinave metalike për nevojat e sistemit të identifikimit biometrik për njohje automatike të targave.

Rashkovski akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “pastrim i parave dhe të ardhurave të tjera nga veprat penale”. Personat I.D., I.H., D.S., I.I. dhe M.S. akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Related posts

Shënohet Dita ndërkombëtare e qasjes universale në informacione me karakter publik

Gazetamax.mk

Rrëfehet Baton Haxhiu: Kështu më shpallën të vdekur gjatë luftës në Kosovë

Gazetamax.mk

640 tonë ar në afërsi të Prishtinës? Kompania britanike do të fillojë punën e kërkimit

Gazetamax.mk