GazetaMax
Lajme

Maksuti: Bllokimi i kushtetutës, kërcënim për demokracinë

Shkup, 13 Tetor – Gjykata Kushtetuese që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, po rrezikon të bllokojë funksionimin për shkak të mos zgjedhjes së gjykatësve të rinj. Në vend të 9 gjykatësve ajo tani numëron 5, gjegjësisht 4 në dhjetor kur duhet të pensionohet edhe një gjykatës.

Mosfunksioni i Gjykatës Kushtetuese është kërcënim ndaj demokracisë, vlerëson profesori universitar, Mersim Maksuti. Në këtë rast nuk do të ketë kush t’i korrigjojë ligjet që do t’i sjellë Kuvendi edhe nëse janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kjo është një brengë për funksionimin e demokracisë në vendin tonë, krizë e sundimit të së drejtës në këtë vend, sepse cenohet kushtetueshmëria dhe mbrojtja e saj që është një nga parimet themelore të demokracisë. Pa mëdyshje se Gjykata Kushtetuese nuk mund të funksionojë, është jashtë funksionimit të saj kur nuk është e plotë, kur i mungojnë anëtarët dhe kjo pamëdyshje është një nevojë e shpejtë.”,- deklaroi profesori universitar, Mersim Maksuti.

Gjykata Kushtetuese kontrollon ekzekutivin, andaj në këtë krizë të shkaktuar për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues, sipas Maksutit, duhet shikuar prizmi i aspektit politik se pse vallë partitë politike në parlament nuk arrijnë që ta zgjidhin këtë problem.

“Gjykata Kushtetuese është ajo që sheh se si ushtrohet pushteti politik. Ky është institucion që mund ta ndalë vullnetin politik nga cilido organ i pushtetit shtetëror. Pra, është kontrollor i gjithë organeve ekzekutive të një vendi dhe duke u nisur nga ky funksion kaq të rëndësishëm që ka Gjykata Kushtetuese. Mendoj dhe jo rastësisht edhe politika e ka lënë në mënyrë të pakujdesshme moskompletimin e Gjykatës Kushtetuese me gjyqtarët e saj. Duhet shikuar edhe prizmi i aspektit politik se pse vallë partitë politike në parlament nuk arrijnë që ta zgjidhin këtë problem.”,- theksoi profesori universitar, Mersim Maksuti.

Për mungesën e gjykatësve, kryetarja Kacarska në vazhdimësi njofton institucionet relevante. Për shkak të mosmarrëveshjeve politike në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, Gjykata Kushtetuese akoma mbetet pa gjykatës, deri atëherë shumë iniciativa për të drejtat e qytetarëve dhe iniciativa për vlerësimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së akteve, mbeten të bllokuara.

Related posts

Kryeministri Kurti i shkruan letër BE-së për zgjedhjet e Serbisë më 3 prill

Gazetamax.mk

Ali Ahmeti në Top Story: Me hyrjen në BE do kemi ndihma të mëdha

Gazetamax.mk

Kryetari Gashi takon ambasadoren e ShBA-së, diskutohet propozimi i AAA-së për korrupsionin politik

Gazetamax.mk