Shkup, 14 Tetor – Edhe pse ka marrë miratim për pozitën e ambasadorit në Paris, Viktor Dimovski, nuk e lëshon akoma pozitën e drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani pranon se tashmë janë tejkaluar afatet e parapara ligjore për procedurën.
“Siç duket po. Edhe pse ligji parashikon afate të caktuara, pas marrjes së agrement duhet në afat prej dy muajsh të përfundojnë bisedimet në ministri, për fat të keq kanë kaluar disa muaj dhe kjo nuk është e rastësishme, me gjasë për shkak se pret të ketë trashëgimtar në institucionin të cilin e drejton për momentin. Megjithatë, ja, bëj thirrje publikisht që të veprohet sa më shpejt dhe të jemi brenda afateve ligjore”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Se kur do të emërohet drejtor i ri në Agjencinë për Siguri Kombëtare nuk thonë as nga qeveria, e cila është kompetente për këtë emërim. Nga atje nuk dërguan përgjigje në pyetjet që nisëm.
Emri i Viktor Dimovskit si ambasador i ardhshëm në Francë u përmend që në muajt e parë të këtij viti por u konfirmua në shtator.
Dimovski është diplomat me karrierë por puna e tij në ASK është shoqëruar me kritika dhe polemika kryesisht për shkak të mosmiratimit të kërkesave për marrjen e shtetësisë (kryesisht nga shqiptarë). Aktualisht mbi 3000 kërkesa për marrjen e shtetësisë që bazohen në ndryshimet e fundit në ligjin për shtetësi, rrinë të pashqyrtuara në sirtarin e Dimovskit.