Shkup/Bruksel, 20 Tetor – Rruga Ballkanike po rikthehet në shqetësim madhor për vendet e BE-së. Shumë prej emigrantëve të paligjshëm në bllokun europian, tani hyjnë nga Ballkani, e vendet e bllokut duken të vendosura ta frenojnë këtë fenomen. Ministrja e brendshme gjermane, Nancy Faeser deklaroi se duhet me çdo kusht “ta mbajmë nën kontroll migracionin e parregullt”.
Ajo tha se ai nuk duhet t’u marrë hapësirën njerëzve që vërtet kanë nevojë në këtë kohë për një strehë në BE. Në konferencën e Ballkanit Perëndimor morën pjesë 17 vendet e asociuura në Procesin e Berlinit, si edhe ministri i brendshëm i Çekisë, si kreyetare e radhës së BE-së. Komisionerja Ylva Johansson tha pas takimit se BE synon t’i bëjë ballë këtij fluksi të ri duke forcuar agjencinë për mbrojtjen e kufijve Frontex.
“Së shpejti do të bëjë marrëveshje të re bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut, dhe gjithashtu do të rinegociojmë të gjitha marrëveshjet ekzistuese me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të vihen në përdorim edhe ndërmjet vendeve të rajonit. Sipas shifrave të BE-së, mbi 86 000 njerëz kanë hyrë në BE deri në fund të gushtit përmes Rrugës ballkanike. Kjo është tre herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”- u shpreh komisionerja Johansson.
Sipas saj, bëhet fjalë për shtetas nga India, Kuba, Tunizia dhe Burundi. Një raport i fundit i Organizatës Europiane të Kufijve FRONTEX që u referohet të dhënave të migrimit për nëntë muajt e vitit 2022, tregon se Rruga e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë rruga më aktive e emigracionit për në vendet e Bashkimit Europian.
Shqipëria është pjesë e Rrugës Ballkanike ku emigrantët e parregullt hyjnë nga Greqia dhe udhëtojnë drejt vendeve perëndimore duke kaluar drejt Malit të Zi apo përmes Portit të Durrësit për në Itali. Tendenca të emigrimit të paligjshëm janë shfaqur edhe përmes hapësirës detare nga Vlora në brigjet italiane.