GazetaMax
Lajme

EDITORIAL / Negociatat për të vendosur prokuror partiak, dëmton procesin e integrimit në BE!

Shkruan, Agjencia Zhurnal.mk

Shkup, 25 tetor – Pjesa e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut është ajo që më së shumti ka marrë kritika nga të gjitha raportet e progresit të Bashkimit Evropian. Në raportet e ndryshme thuhet se ky sektor është selektiv, jo transparent, i korruptuar dhe jo i mbështetur në fakte. Prandaj të gjitha partitë politike dhe qeveria duhet të vendosin profesionistë të vërtetë që do të rregullojnë njëherë përgjithmonë këtë sektor, dhe në asnjë mënyrë të vendosin kuadër partiakë!

Negociata për të vendosur prokuror partiak!

Jozyrtarisht mësohet se në kuadër të zgjedhjeve për prokuror kryesor për krim të organizuar aktualisht janë duke u zhvilluar negociata të mes dy partive në koalicionin qeverisës LSDM dhe BDI se kush duhet të vendosin “njeriun e tyre” në këtë institucion. Spekulimet e fundit janë se BDI në krye të prokurorisë për krim të organizuar insiston të zgjidhet një prokuror që konsiderohet si i afërm i një deputeti të kësaj partie, por që ende nuk janë përmendur emra në publik.

Prokurori që propozon BDI nuk është shumë i njohur në opinion dhe ka njëzet vjet që është pjesë e prokurorisë publike. Për të nuk ka afera apo skandale të mëdha, por shumë e konsiderojnë tejet të afërt BDI-në.

Lufta për të marrë këtë pozitë është duke ndodhur edhe në LSDM. Nga kjo parti refuzojnë ta “japin” mandatin që i është hequr Vilma Ruskovskës, me arsyetimin se këtë pozitë do ta zgjedh prokurori i ri publik shtetëror, i cili do të emërohet nga qeveria pas largimit të Ljubomir Joveskit. LSDM dëshiron që edhe prokurorin e ri shtetëror por edhe atë për krim të organizuar t’i mbajë nën kontroll duke mos lejuar që dikush të ketë qasje në këto dy institucione.

S’ka vend për pazare me drejtësinë!

Duke i parë lojërat dhe interesat e partive politike për të vendosur njerëzit e tyre në pozitat kyçe të drejtësisë, duket se të gjithë janë futur në Pazar për të blerë e për të shitur poste. E në momentin kur shitet e blihet, atëherë blen ai që ka më shumë interes dhe shet ai që nuk është shumë i interesuar. Kështu që pasi “koka” e prokurorëve është vënë në Pazar, atëherë këtu s’ka hajr populli! Kjo do të thotë se askush nuk e çan kokën për interesin e përgjithshëm publik, kur kërkohet të kemi prokuror e gjyqtarë të pavarur, por secila palë sheh dhe mbron interesin e tyre politik.

Në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian, sektori i drejtësisë është konsideruar si më jo profesionisti dhe më i politizuar, e sidomos duke parë skandalet e njëpasnjëshme që po ndodhin në këtë sektor. Prokuroritë dhe gjykatat gjithandej akuzohen se nuk ndajnë drejtësinë ashtu siç duhet, por vazhdojnë me mbrojtjen e kriminelëve, të korruptuarve dhe për drejtësinë vendosin në mënyrë selektive.

Pikërisht për këtë arsye, proceset gjyqësore janë shumë të ngadalta, nuk ka procesuim dhe zgjidhje të lëndëve, e ato qëllimisht shtyhen me vite të tëra duke mos arritur kurrë te drejtësia, ose edhe nëse ka një epilog gjyqësor kjo ndodh në mënyrë parciale.

Andaj një shtet që synon të demokratizohet dhe të futet në Bashkimin Evropian, duhet që fillimisht të rregullojë pjesën e drejtësisë. E kjo është edhe një ndër kapitujt e parë që do të hapet në negociatat me BE-në dhe të fundit që do të mbyllet. Nuk mund të përfaqësojmë vlerat evropiane përderisa ende kemi sistem të kapur të drejtësisë. Ai krimineli me miliona euro të vjedhura lihet i lirë, kurse dikush që s’ka të njohur ose lidhje në gjykatë, ose prokurori, dënohet maksimalisht.

Partitë politike nuk duhet të lejojnë në asnjë mënyrë që të bien pre e interesave të ngushta partiake dhe klanore, duke dëmtuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Prokuror dhe gjykatës duhet të jenë njerëz me dinjitet, të cilët nuk kanë bagazh të korrupsionit, nuk kanë skandale, dhe që kanë guxim të marrin përsipër të ndajnë drejtësinë ashtu siç është dhe ashtu siç duhet.

Partitë politike duhet njëherë e përgjithmonë të mësohen që në vendet kyçe, në këtë rast siç është drejtësia, duhet njerëz profesionist që do i çojnë proceset përpara. Gjithçka tjetër është në dëm të politikës integruese dhe vetë procesit të reformave.

Related posts

Peçi: Shqipëria s’ka dhurues sperme, e marrim nga vendet e BE-së

Gazetamax.mk

Radev: Aktivizuam mekanizmin për ndihmë makrofinanciare të BE, Maqedonia e Veriut do përfitojë 80 milionë euro

Gazetamax.mk

Zjarrfikës nga Tetova dhe Çairi nisen drejt Turqisë

Gazetamax.mk