GazetaMax
Lajme

Qindra të infektuar, thirrje për vaksinim

Shkup, 25 Tetor – Autoritetet shëndetësore në vend thonë se vaksinimi me dozën e tretë, përkatësisht atë të katërt kundër COVID-19, është i domosdoshëm për arsye se virusi është ende i pranishëm, dhe në prag është sezoni i gripit të zakonshëm, raporton REL.

Instituti për Sëmundje Ngjitëse në Maqedoninë e Veriut thotë se gjatë sezonit të vjeshtës ekziston rreziku që qytetarët të infektohen me të dy viruset njëkohësisht, dhe kjo të shkaktojë komplikime, veçanërisht te personat me sëmundje kronike.

Shpëtimin mjekët e shohin te vaksinimi me dozat përforcuese kundër COVID-19, të tretën – përkatësisht të katërtën, pasi siç thonë mjekët imunologë, dy dozat e para tashmë e kanë humbur efektin e tyre.

Zllate Mehmedovoviq nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, thotë se grupet e rrezikut që duhet të vaksinohen janë personat e moshës mbi 65 vjeç, por edhe të gjithë ata që janë nën këtë moshë, por janë me sëmundje kronike.

“Gjithashtu, patjetër duhet vaksinuar dhe të gjithë ata qytetarë që e kanë të rënduar sistemin e imunitetit”.

“Arsyeja pse bëjmë thirrje për vaksinim është fakti se duhet rritur imuniteti i kësaj kategorie të ndjeshme në kohën kur kemi paralajmërime se edhe këtë dimër mund të ballafaqohemi me një valë të re të koronavirusit, dhe tashmë është dëshmuar se vaksina është kura më e mirë”, thotë ai.

Gjatë javës së fundit numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut ka lëvizur nga 250 deri 350 të infektuar.

Aleksandra Grozdanova nga Komiteti i Imunizimit thotë për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë ka nisur procedurën për blerjen e vaksinave bivalente, të përshtatura ndaj mutacioneve të reja të virusit COVID-19.

Ajo thotë se edhe pas dy vjetësh prej kur ka nisur pandemia, sfidë mbetet lufta kundër dezinformatave që kanë të bëjnë me COVID-19 dhe vaksinat kundër këtij virusi.

“Parashikimet janë se llojet Omicron të koranivirusit shfaqen me një formë më të lehtë të sëmundjes, megjithatë virusi është ende i pranishëm dhe këtë e shohim përmes numrave të të infektuarve që janë treshifrorë në vend”, thotë ajo, duke shtuar se vaksina mbetet mbrojtja më e mirë, jo vetëm për ata që kanë sëmundje kronike, por për të gjithë.

“Për fat të keq dezinformatat arrijnë të sfidojnë vaksinimin, pasi ato krijojnë huti te qytetarët. Në këtë drejtim mbetet akoma shumë punë…”, thotë Grozdanova.

Një hulumtim i realizuar nga Instituti i Mediave në Maqedoninë e Veriut, në muajt korrik dhe gusht, thotë se duhet ngritur kapacitetet profesionale të redaksive në media kur shkruhet për rëndësinë e imunizimit të popullsisë dhe luftës kundër dezinformatve që kanë të bëjnë me sigurinë e vaksinave.

“Për t’u informuar qytetarët drejt rreth rëndësisë së vaksinimit kundër COVID-19 dhe rrezikut që sjell ky virus, i cili akoma është i pranishëm, duhet të krijohen lidhje ku do të përfshihen mediat, sektori civil, mjekët imunologë dhe institucionet shëndetësore, për t’i adresuar dezinformatat për t’i luftuar ato përmes dëshmive shkencore”, thotë Marina Tuneva nga Instituti i Mediave.

Related posts

MPJ mohon se nga Bullgaria po përgatiten detyra të reja për Maqedoninë e Veriut

Gazetamax.mk

Shkupi u bë me transport falas, jo nga Arsovska por nga ajri i ndotur

Gazetamax.mk

Ademi: Figura e Ali Ahmetit e pakontestueshme, besimi i qytetarëve tek BDI po rritet

Gazetamax.mk