GazetaMax
Lajme

Të shqetësuar nga sulmet kibernetike

Shkup, 10 nëntor – Sipas një ankete të kryer nga trupat rregullator rreth sigurisë kibernetike, 15% e të anketuarve kanë thënë se nuk ndihen të sigurt dhe se kanë qenë viktimë e krimeve kibernetike ose e ngacmimit në internet, kurse më shumë se gjysma e tyre ishin të shqetësuar edhe për mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave personale. Programet antivirus i përdorin rreth 57.3%, kurse ndryshe nga të moshuarit, të rinjtë shpeshherë lidhen me internet edhe nëpër vende publike. Të anketuarit që përdorin rrjete sociale në shumicën e rasteve përdorin emrat e tyre të vërtet si dhe vendosin fotografitë e tyre personale, tregon Raporti i anketës së opinionit publik për sulmet kibernetike të publikuar nga Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Qendra Kombëtare për reagim ndaj incidenteve kompjuterike MKD-CIRT.

Anketimi në terren është zhvilluar nga 14 deri më 28 shtator të këtij viti me rreth 1.400 të anketuar. Një pjesë e madhe e të anketuarve (71.1%) nuk e din ose konsiderojnë se nuk ka faqe interneti, adresë kontakti, adresë e-mail, numër kontakti, apo gjëra të ngjashme në vendin tonë ku mund të raportohen krimet kibernetike apo aktivitetet ilegale në internet. Analizat e të dhënave të mbledhura tregojnë se shumica e përdorin internetin për rrjete sociale dhe komunikim. Për rrjete sociale këto 12 muajt e fundit internetin e kanë përdorur 86.8%, për shërbime dhe dokumente nga administrata publike 25.7%, për mësime dhe kurse 23.6%, dhe për shitje të mallrave dhe shërbimeve 9.2%. Ajo që më së shumti i shqetësonte të anketuarit ishte abuzimi me të dhënat personale gjatë përdorimit të aktiviteteve në internet, përgjigje kjo e dhënë nga 51.6% e të anketuarve. Siguria e pagesave dhe pamundësia për të inspektuar produktin në mënyrë fizike janë gjithashtu faktor shqetësues për rreth 47% e të anketuarve. Tre veprimet e ndërmarra nga të anketuarit për të mbrojtur privatësinë gjatë përdorimit të internetit janë, instalimi i një antivirusi (39.2%), vizitë vetëm faqeve të njohura të internetit që u besojnë (36%), përdorimi i vetëm një kompjuteri personal (35.2%).

Sa u përket praktikave të shfrytëzimit të internetit në vende publike, gjysma e të anketuarve thanë se internetin e shfrytëzojnë nga celulari i tyre ose rrjet që është i aksesshëm dhe i mbrojtur me fjalëkalim, 13.4% thanë se nuk lidhen me internet nëpër vende publike. Nëse merren parasysh të gjithë të anketuarit siç thotë AKE, 57.3% përdorin programe antivirus. 82.9% prej tyre përditësojnë programet, aplikacionet, dhe sistemet operative në pajisjet e tyre, 77.5% e tyre përdorin fjalëkalim për t’u kyçur në pajisjet që përdorin.

Fjalëkalimet e 79.3% të të anketuarve përbëhen nga kombinimi i shkronjave, numrave dhe simboleve. Sipas hulumtimit rreth 20% e të anketuarve, nuk munden ose më saktësisht nuk din të njohin një fjalëkalim të sigurt, pasi që një pjesë e madhe e tyre përdorin të dhëna personale si fjalëkalim. Gati gjysma e tyre i mbajnë mend fjalëkalimet e tyre, ndërsa 1/3 e tyre i shënojnë në fletore, kompjuter, ose celular, 1/3 nuk kanë ndryshuar fjalëkalimet e tyre në 12 muajt e fundit, shumica ose 2/3 nuk përdorin vërtetim me dy faktorë pasi nuk e dinë se çka është. Pak më shumë se 1/3 e të anketuarve mbajnë një kopje rezervë të të dhënave të rëndësishme të pajisjeve të jashtme. Shumica e atyre që mbajnë kopje rezervë, këtë e bëjnë rrallë, nga dy deri në tre herë në muaj. Përafërsisht gjysma e tyre besojnë se nuk janë fare ose mjaftueshëm të informuar për rreziqet e krimit kibernetik. Burim kryesor i këtyre informacioneve është interneti dhe mediat e tjera. 60% e të anketuarve pajtohen se të dhënat e tyre personale nuk ruhen në mënyrë të sigurt nga faqet e internetit, shërbimet apo edhe nga institucionet publike.

Rrjetet sociale më të përdorura janë Facebook-u (88.3%), Viber (88.6%). Interneti më së shumti përdoret nëpër celulare (96.9%), kompjuter (74.9%), ndërsa të anketuarit më të vjetër si dhe ata me një nivel më të ulët arsimimi përdorin më pak kompjuterët apo pajisjet e tjera për t’u kyçur në internet.

Related posts

Të padukshmit e shoqërisë, ë pastrehët luftë me fatin dhe institucionet

Gazeta Max

Zgjedhjet në veri të Kosovës, LVV kërkon fillimisht largim të masave, PDK thotë se s’do të jenë bllokues

Gazeta Max

MPJ dënon gjuhën e urrejtjes që u shpreh gjatë ndeshjes Maqedoni e Veriut – Bullgari në Shkup

Gazeta Max