GazetaMax
Lajme

Në qytetin e ministrit Spasovski, Kumanovë, të rinjtë shqiptarë mund të vriten pa e ditur nga kush dhe pse?

Shkup, 15 nëntor – Kumanova është i njohur si qytet i eksperimenteve të shumta që janë bërë, jo eksperimente shkencore por humane e njerëzore, ku për qëllime të ndryshme është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve pa u menduar dy herë. Në këtë qytet pushtetarët shpesh herë e kanë parë shpëtimin e tyre, e raste të tilla kemi me bollëk. Ajo që është e fundit si rast skandaloz është publikimi i një video incizimi nga kamerat e sigurisë ku shihen një grup huliganësh maqedonas teksa futen në një lagje tërësisht të banuar me shqiptarë, duke i përndjekur për t’i sulmuar dy të rinj shqiptarë. Fatmirësisht rasti ka përfunduar pa ndonjë viktimë, e fatkeqësisht organet e rendit nuk kanë arrit ende të zbulojnë identitetin e atyre sulmuesve e vrasësve potencial. Kjo dëshmon që në këtë vend ka pasiguri dhe mungon rendi, përpos kësaj dëshmohet që Kumanova vështirë të bëhet qytet multi-etnik kur ka hapësirë për ndezje të tensioneve ndëretnike, shkruan Zhurnal.

Çfarë ndodhi në Kumanovë?

Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të cilat i referohen orëve të para pas mesnate (14.11.2022). Në lagjen “Orta Bunarë” në Kumanovë, lagje tërësisht e banuar me shqiptarë, nga ku mësohet se dy të rinj shqiptar ishin cak i një sulmi, motivi i të cilit nuk dihet ende si pasojë e hetimeve me “hapa të breshkës”. Sipas denoncuesve, bëhet fjalë për 12-14 persona të maskuar, të organizuar dhe të armatosur me armë të ftohta.

Rasti është denoncuar në polici dhe po punohet për zbardhjen. Të rinjtë që ishin cak i sulmit kanë deklaruar se nuk kanë pasur zënka paraprake më ndonjë person ose grup të caktuar. Siç raporton televizioni Alsat, nga kamerat e sigurisë dëgjohen fyerje në gjuhën maqedonase.

Ky rast duhej të raportohej në çdo media, presioni mediatik dhe politik duhej të ishte në nivelin më të lartë të mundshëm, dhe përmes kësaj të zbardhej rasti në tërësi, kush ishin sulmuesit, të dirigjuar nga kush, cilat ishin motivet e një sulmi të tillë?. E pyetje të tjera në drejtim të mos përhapjes së panikes dhe dezinformatave, por një gjë e tillë nuk po ndodhë.

A duhet të ketë viktima që organet e rendit të mbajnë rend?

Ajo që krijon pasiguri dhe ndjenjën e rrezikut është pikërisht pafatësia ose mungesa e vullnetit të policisë e organeve kompetente për ta zbardh një rast barbar që potencialisht ka mund të ndodhë në atë mbrëmje të kobshme për shqiptarët e të favorshme për sulmuesit.

Një shprehi katastrofale e krijuar në vend është fakti se pa pasur viktima rastet nuk merren seriozisht e nuk punohet aspak në drejtim të parandalimit të rasteve të mundshme, që cenojnë në mënyrë direkte sigurinë e qytetarëve.

Zbardhja e rasteve vështirësohet edhe më shumë kur viktimat janë shqiptarë, madje edhe vrasjet e qëllimshme me viktima shqiptarë këto organe të rendit i shndërrojnë në aksident trafiku me pasojë vdekje. Por, ky rast si dhe shumë raste tjera flasin për diskriminimin etnik si dhe drejtësinë selektive që po aplikohet edhe sot e kësaj dite në këtë shtet të çudirave.

Sulmi ndaj të rinjve shqiptarë në Kumanovë nga huliganët maqedonas nuk dallon nga sulmet terroriste –

Nëse po flasim për sulmet terroriste që ato duhet të jenë të motivuara dhe me një qëllim të caktuar, nuk është që dallojnë edhe këto sulmet barbare që bëhen në qytete lokale. Ajo që i dallon janë vetëm dirigjuesit dhe ata që i porosisin këto sulme. Rasti Kumanovës në mënyrë shumë të qartë dallohej se kishte të bëjë me një grup huliganësh të armatosur dhe të përgatitur me maska për të kryer ndonjë vepër të rëndë, që nuk përjashtohet mundësia e vrasjes.

Pse ndodhin këto raste, ku mund të vritesh e mos dihet nga kush dhe pse?

Pasiguria në vend ekziston vetëm atëherë kur vetë shteti bashkëpunon me bandat apo grupet kriminele dhe u jepet drita “gjelbër”, veproni sepse nuk do ta pësoni. Kjo mbase është niveli më i ultë i sigurisë duke pasur parasysh edhe rrahjet e mëhershme të pushtetit VMRO-BDI ku shumë të rinj shqiptarë rriheshin e thereshin nëpër autobusë, kryerësit e veprave merreshin në pyetje në mbrëmje në mëngjes liroheshin.

Po me të njëjtën formë veprimi mund të vlerësohet edhe rasti i sulmit të të rinjve shqiptarë në lagjen e tyre nga huliganët e organizuar e të përgatitur maqedonas, në Kumanovë. Kjo mbase është për të ardhur çudo e habi se si ka mundësi në shtetin anëtarë të NATO-s të ketë këso lloj pasigurie dhe sulmesh barbare.

Nëse organet e rendit nuk janë në gjendje të zbulojnë identitetin e këtij grupi sulmues kuptohet qartazi se mungon vullneti e dëshira për një gjë të tillë, nuk dyshohet për pafatësi por më shumë dyshohet për bashkëpunim të shtetit me banda kriminele të cilët i ruan për nevoja kur duhet të destabilizohet vendi, e të krijohen tensione ndër-etnike. /Zhurnal.mk

Related posts

Spasovski: Marrëveshja me Frontex e para që do nënshkruhet në gjuhën maqedonase

Gazetamax.mk

Shpëtohen 4 shpersona që ishin bllokuar në malin Kozhuv

Gazetamax.mk

VMRO: Nuk kemi marrë ftesë për bisedime për ndryshimet kushtetuese

Gazetamax.mk