Shkup, 23 nëntor – Në procedurë kuvendore sot hyn Buxheti për vitin 2023. Buxheti është në drejtim të tejkalimit të sfidave të krizës globale ekonomike dhe energjetike për çka janë paraparë 250 milionë euro. Që në mart të vitit të ardhshëm do të kemi rritje të re të pagës minimale dhe rritje të re të pensioneve, deklaroi sot deputetja e radhëve të LSDM-së, Daniella Koleva në konferencën për shtyp në Kuvend.
“Ky dokument i rëndësishëm për ekonominë e vendit është buxheti i parë i harmonizuar me Ligjin e ri për buxhete. Buxheti është në drejtim të tejkalimit të sfidave të krizës ekonomike dhe energjetike globale për çka janë paraparë 250 milionë euro. Të ardhurat në krahasim me vitin 2022 janë rritur për 14,8 për qind ndërsa deficiti është duke u zvogëluar në 0,7 për qind pikë lidhur me projeksionet për vitin 2022”, informoi Koleva.
Si përgjigje ndaj pasojave të krizës, por edhe për zhvillimin e standardit jetësor të qytetarëve, siç tha, rriten mjetet për pagesën e pagave, pensioneve dhe transfereve sociale.
“Shtatëdhjetë e pesë miliardë denarë ose 10 për qind më shumë rriten mjetet për pagesën e pensioneve, ndërsa 12,5 miliardë denarë janë paraparë për pagesën e kompensimeve për mbrojtje sociale të kategorive më të cenueshme të qytetarëve. Janë siguruar mjete shtesë për harmonizimin e pagave me pagën minimale gjatë vitit të ardhshëm në pajtim me metodologjinë e re. Që në mars të vitit të ardhshëm do të kemi rritje të re të pagës minimale dhe rritje të re të pensioneve”, paralajmëroi Koleva.
Në Buxhet, shtoi ajo, nuk janë lënë anash as projektet kapitale të cilat janë në nivel prej afro 800 milionë euro ose rreth 52,3 për qind më të larta lidhur me projeksionin për vitin 2022.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Koleva potencoi se deri në fund të këtij viti presim përqindje më të madhe të realizimit të projekteve kapitale.
“Duke e pasur parasysh atë që janë rritur të ardhurat në tre kuartalet e para në krahasim me vitin e kaluar, prandaj kemi të ardhura më të mëdha. Për vitin e ardhshëm janë projektuar më shumë shuma dhe numër më i madh i investimeve dhe projekteve kapitale”, tha Koleva.