Raportohet se kanë nisur sulmet e para amerikano-izraelite drejt Iranit, në një përpjekje për të detyruar regjimin e Republikës Islamike të pranojë një armëpushimet në kushtet e aleatëve perëndimorë.
Sipas raportimeve të para, ka pasur goditje në Isfahan kryesisht, në baza ushtarake iraniane dhe në disa fabrika municionesh.
Nga ana tjetër, raportohet se ka pasur goditje edhe në Arak, në një uzinë të prodhimit të aluminit. Teksa nuk është kursyer as një kompleksi i Fajr për nënproduktet e naftës në Mahshahr.
Njëkohësisht, presidenti amerikan Donald Trump, ka bërë me dije se ende nuk është njohur me propozimin e një armëpushimi dyjavor, kërkuar nga kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke propozuar një armëpushim dyjavor dhe hapa konkretë për të krijuar hapësirë për diplomaci.
Trump tha se po pret të informohet, por ndërkohë ka vlerësuar figurën e Sharif si “shumë serioze dhe të respektuar”.
Edhe nga Irani është bërë me dije se propozimi i tij po merret parasysh, me një përgjigje të pritshme në vijim.
Në një deklaratë të zgjeruar publikuar në media sociale, Sharif theksoi se përpjekjet diplomatike për një zgjidhje paqësore të luftës në rajon “po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme, të fortë dhe të fuqishme”, duke shtuar se ekziston potencial real për rezultate konkrete në një të ardhme të afërt.
Për këtë arsye, ai i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të shtyjë afatin aktual me dy javë, në mënyrë që procesi diplomatik të mund të vijojë pa presion ushtarak.
“Për t’i dhënë mundësi diplomacisë të ndjekë rrugën e saj, kërkoj me sinqeritet që Presidenti Trump të zgjasë afatin me dy javë”, u shpreh ai.
Paralelisht, kreu i Qeverisë pakistaneze i kërkoi Iranit të ndërmarrë një hap reciproc, duke rihapur Ngushticën e Hormuzit për të njëjtën periudhë, si një gjest vullneti të mirë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në stabilizimin e situatës.
Sharif shkoi më tej, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të respektojnë një armëpushim të plotë dyjavor në të gjitha frontet.
Sipas tij, një ndërprerje e përkohshme e luftimeve është thelbësore për t’i dhënë diplomacisë mundësinë të arrijë një përfundim përfundimtar të luftës, në funksion të paqes afatgjatë dhe stabilitetit rajonal.
Deklarata e Pakistanit vjen në një moment kritik për rajonin, ku tensionet mbeten të larta dhe çdo dritare për dialog shihet si vendimtare për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm me pasoja globale.
Teksa, sipas raportimeve të fundit, disa avionë janë ngritur nga Tel Avivi për në drejtim të Iranit, për të kryer sulme të mundshme ndaj infrastrukturës kritike të Republikës Islamike, përfshi ura madhore dhe centrale energjetike.
