GazetaMax
Lajme

Objektet e institucioneve shtetërore jashtë kadastrës!

Shkup, 6 Dhjetor – Vetëm 18 institucione në Maqedoninë e Veriut nga gjithsej 1.346 kanë realizuar detyrimin për regjistrimin e pronës në Agjencinë e Kadastrës.

Në vitin 2020, Qeveria mori vendim për vendosjen e një numri unik identifikimi, me të cilin Agjencia e Kadastrës do t’i regjistrojë institucionet dhe pasurinë e tyre.

Ministria e Shoqërisë Informative me këtë rast u obligua nga Qeveria që të vë në dispozicion të dhënat e saj digjitale nga regjistri i institucioneve shtetërore, të cilat do të duhet të lidhen me bazën elektronike të të dhënave të Agjencisë së Kadastrës.

Kadastra: Problemi është i vjetër – po punohet për regjistrimin e çdo prone

Drejtori i Agjencisë së Kadastrës së Maqedonisë së Veriut, Boris Tunxhev, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioni që ai drejton synon të ketë njohuri të sakta se me çfarë prone saktësisht disponojnë institucionet e shtetit.

“Ne nuk kemi të dhëna se cili institucion me çfarë prone disponon dhe të njëjtën e ka në shfrytëzim”, thotë Tunxhev.

Ai shpjegon se Agjencia e Kadastrës ka marrë informacione, gjegjësisht kërkesa nga një numër shumë i vogël i institucioneve që i kanë regjistruar pronat. Problemin ai e fokuson te mungesa e njohurive për sa i përket numrit të fletë-pronësisë.

Tunxhev, gjithashtu, bën të ditur se 10 për qind e territorit të Maqedonisë së Veriut nuk ka qenë fare e regjistruar regjistrin e Kadastrës deri në vitin 2018.

“Gjatë fazës së parë, brenda dy vjetëve, arritëm të regjistrojmë hapësirën e përgjithshme, e cila përbëhet nga hapësira pyjore si dhe tokë bujqësore në pronësi të shtetit e paregjistruar, pa fletë pronësie, rreth 245 hektarë ose rreth 10 për qind e territorit të Maqedonisë së Veriut”, thotë Tunxhev.

Prona e institucioneve të shtetit në vlerë prej 150 milionë eurosh, pa fletë pronësie

Revizori i Shtetit ka konstatuar se prona e shtetit në vlerë prej 150 milionë euro nuk posedon fletë pronësie. Sipas tij, Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili është kompetent për kujdesin e nevojave të objekteve të Presidencës, për Qeverinë, ministritë, inspektimet dhe institucionet e tjera që dalin nga ministritë, për sekretariatet dhe shërbimet profesionale në qeveri, si dhe për pronën e Gjykatës Kushtetuese, nuk mban evidencë të brendshme të pronës me të cilën disponon.

Revizori e ka cilësuar si të paligjshëm regjistrin e Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta për shkak se, siç theksohet, ai ka qenë jo i plotë dhe me lëshime të shumta.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet Pece Mirçevski, drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, pasi siç thotë, konstatimi “i paligjshëm” është shumë i ashpër megjithëse thotë se ka lëshime.

“Regjistrimi i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe të gjithë hapat lidhur me këtë procedurë bëhen në përputhje me ligjet, por njëkohësisht nuk e kontestojmë faktin se janë bërë lëshime të pjesshme në segmente të caktuara të këtij regjistrimi. Është i gabueshëm konstatimi se regjistrimi nuk është i realizuar në përputhje me ligjet që e rregullojnë këtë çështje”, theksohet në përgjigjen e drejtorit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta drejtuar Revizionit Shtetëror.

Çka është fletë-pronësia?

Fletë-pronësia është dokument publik, me të cilin dëshmohet e drejta e shkruar e pronësisë dhe e drejta në të mira tjera të pasurisë së patundshme në pajtim me ligjin.

Fletë-pronësia përmban të dhënat e parcelave kadastrale, ndërtesave dhe pjesë të veçuara të ndërtesës dhe objekte tjera, bartësit të së drejtës së patundshmërisë, të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e të mirave të tjera të pasurisë së patundshme, si dhe të drejta tjera për regjistrim të parapara me ligj, e drejta juridike e regjistrimit, shuma e detyrimit të siguruar me të drejtën e pengut, parashkrimin dhe shënimin.

Pa fletë pronësie qytetarët nuk mund të lëvizin asnjë tullë nga objektet e tyre

Për çfarëdolloj rikonsumimi (çfarëdo lloj mbindërtimi apo plotësimi) të objekteve ekzistuese, qytetarët në fillim duhet të dëshmojnë se prona është e tyre përmes fletë-pronësisë pastaj duhet të hartojnë elaborat dhe raport nga Plani urbanistik që të merret leja nga komuna përkatëse.

Darko Petrevski për Radion Evropa e Lirë tregon se si janë dashur më shumë se gjashtë muaj të bredhë në relacionin kadastër- komunë që të marrë leje për rikonstruktimin, përkatësisht ngritjen e një kati në shtëpinë e të atit.

“Që të mund të ndërtosh mbi objektin ekzistues ose të bësh ndonjë rikonstruktim duhet të dëshmosh se objekti është i legalizuar përmes fletë-pronësisë. Pa këtë dokument as mos të të shkojë në mendje të fillosh procedurën për marrjen e lejes”, thotë ai.

Por, edhe pse nuk kanë pasur fletë pronësie, janë rikonstruktuar fasadat e shumë institucioneve të shtetit. Aktualisht, po kryhen punime në fasadën e objektit ku është e vendosur Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, institucion ky që nuk ka fletë-pronësi.

Pa posedimin e fletë-pronësisë është rikonstruktuar dhe objekti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Pa fletë pronësie janë dhe vilat e Presidencës së shtetit dhe shumë objekte të tjera.

Related posts

Vazhdon debati për zgjedhjen e gjykatësve kushtetues në seancën e 88-të

Gazetamax.mk

Izet Mexhiti: Shënojmë 21 vjetorin e BDI-së në Tetovë, aty ku u hodhën themelet e para të saj

Gazetamax.mk

Mision për të shuar ‘zjarret’ në Ballkan

Gazetamax.mk