Shkup, 15 dhjetor – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot mori pjesë në Takimin e 20-të Ministror të Komunitetit të Energjisë në Vjenë. Takimi u kryesua nga Jaroslav Demçenkov, zëvendësministër i Energjisë së Ukrainës si vend që kryeson Komunitetin e Energjisë dhe Herman Galushçenko, ministër i Energjisë së Ukrainës nëpërmjet lidhjes online dhe Kadri Simson, komisionere Evropiane për Energjinë e Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutuan disa tema të energjetikës, të cilat mbulohen nga Marrëveshja për Themelimin e Komunitetit të Energjisë.
Fokusi kryesor i bisedës mes ministrave të energjisë ishte kriza energjetike, lufta në Ukrainë, siguria e furnizimit me energji, legjislacioni i ri në sektorin energjetik, si dhe arritja e synimeve klimatike.
Në takimin ministror u miratuan ndryshimet në Paketën e Energjisë së Pastër, të cilat përmbajnë objektivat e secilit shtet në përputhje me planet e tyre kombëtare.
Është miratuar edhe raporti vjetor për zbatimin, ku është shënuar progresi i Maqedonisë së Veriut në reformat në sektorin energjetik.
Në takim, ministri Bekteshi informoi se përkundër krizës energjetike, Qeveria është duke punuar në mënyrë aktive paralelisht në kalimin e energjisë në energjinë e gjelbër, gjegjësisht në përdorimin e diellit, erës dhe ujit për të ndryshuar gradualisht prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri në prodhimi i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Ministri theksoi se një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe prioritetet e Qeverisë janë sigurimi i furnizimit të besueshëm me energji, rritja ekonomike dhe ecja drejt ekonomisë së gjelbër.
Në fjalën e tij, ministri Bekteshi i dha mbështetje të plotë Ukrainës, e cila është vend anëtar i Komunitetit të Energjisë.
“Maqedonia e Veriut i ka mbështetur plotësisht sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe do të mbështesë të gjitha sanksionet që do të ndërmerren në të ardhmen. Ne si shtet i japim mbështetje të plotë Ukrainës, si ushtarakisht ashtu edhe financiarisht”, tha ministri Bekteshi.
Shqipëria u zgjodh si vendi i radhës që do të kryesojë Komunitetin e Energjisë në vitin 2023.