GazetaMax
Lajme

Universiteti i Tetovës ndau 113 bursa për studentët ekselentë

Tetovë, 15 Dhjetor – Në Universitetin e Tetovës, përmes një ceremonie solemne, sot u ndanë bursat për studentët me mesatare lartë. Gjithsej 113 studentë e kanë fituar të drejtën e bursës, falë rezultateve dhe suksesit që kanë shënuar në studimet e ciklit të parë dhe të ciklit të dytë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij drejtuar studentëve bursistë, theksoi se jetësimi i idealeve kombëtare dhe i vlerave bashkëkohore në arsim dhe shkencë, me qëllim të zhvillimit dhe përparimit të gjeneratave të ardhshme, mbeten vizioni kryesor i Universitetit të Tetovës. “Ky aktivitet, që organizohet në kuadër të 28-vjetorit të themelimit të universitetit, ka për qëllim përkrahjen dhe promovimin e studentëve ekselentë, të ciklit të parë dhe ciklit të dytë të studimeve, të cilët kanë arritur rezultate të larta gjatë studimeve, pa anashkaluar vazhdimësinë e tyre. Ne jemi shumë të lumtur për arritjet tuaja gjatë studimeve. Përpjekjet për dije nuk duhet të pakësohen asnjëherë. Sakrifica e madhe që është dhënë në të kaluarën nga të gjithë ne, për të qenë sot pikërisht këtu, duhet të shërbejë si burimi më i fuqishëm i energjisë për të arritur suksese në të ardhmen. Asnjëherë mos e harroni se, Ju jeni studentë të një universiteti të veçantë në botë për nga historia, ndaj gjithmonë duhet të jeni krenarë dhe ta prezantoni universitetin me përkushtim në të ardhmen, duke qenë në shërbim të punës dhe njerëzve. Respektoni dhe falënderoni prindërit dhe të gjithë ata që Ju kanë përkrahur gjatë studimeve dhe vazhdoni të kryeni vepra të mira dhe të punoni për realizimin e qëllimeve që i keni përcaktuar vetes”, tha Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Ai, më tej u shpreh se, në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara me Vendim të Senatit të Universitetit të Tetovës, gjithsej 96 studentë të ciklit parë dhe 17 studentë të ciklit të dytë të studimeve i kanë përmbushur me sukses kriteret e kërkuara arsimore të notës mesatare, kredive të akumuluara dhe vazhdimësisë të studimeve, për ta fituar bursën universitare në vitin akademik 2022/23. “Ky organizim tashmë është një standard dhe traditë 10-vjeçare dhe përbën një ndër aktivitetet më të veçanta për nga rëndësia, që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Shfrytëzoj rastin të theksoj se Universiteti i Tetovës është i vetmi universitet në vend që ndan bursa për studentët e ciklit të dytë, edhe pse këto studime për nga natyra e tyre cilësohen si studime kryesisht me vetëfinancim të plotë. Me këtë aktivitet, ne po hedhim një hap para në ndërtimin e të ardhmes sonë të përbashkët, sepse Universiteti i Tetovës është një amanet që të gjithë së bashku duhet ta bartim brez pas brezi, përgjithmonë”, kështu e përmbylli fjalën e tij Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në ceremoninë ku u ndanë 113 bursa për studentët ekselentë, nga drejtuesit e Universitetit të Tetovës, morën pjesë edhe miq dhe familjarë të studentëve.

Related posts

Tre të arrestuar për transport të drurëve pa leje

Gazetamax.mk

Bushi: Prioritet kemi raportet e mira me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët ndërkombëtarë

Gazetamax.mk

Qeveria do t’i edukojë qytetarët se si të kursejnë rrymë

Gazetamax.mk