GazetaMax
Lajme

Rryma do të shtrenjtohet nga 3,5 deri 4%, edhe rritja e TVSH-së do të ndikojë plus 4,72%

Shkup, 26 dhjetor – Tri kompanitë energjetike kanë dorëzuar kërkesat e tyre në Komisionin Rregullator për Energjetikë dhe Shërbime të Ujit (KRRE) për çmimin e energjisë elektrike në tregun e rregulluar pas 1 janarit të vitit të ardhshëm. SHA MEPSO kërkon rritje të çmimit për transmetimin e energjisë elektrike për 29,75 për qind, “EVN Elektrodistribuimi” kërkon ulje të shërbimit për shpërndarje të energjisë elektrike për 2,8 për qind, ndërsa furnizuesi universal “EVN Houm” kërkon rritje të çmimit për pesë për qind për furnizimin me energji elektrike.

“Nëse kërkesat e cekura pranohen, çmimi mesatar i furnizimit për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë do të rritej për 3,5 deri në 4 për qind dhe rritja e TVSH-së nga 5 në 10 për qind do të kishte ndikim prej 4,72 për qind në koston përfundimtare”, tha kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se tash e tutje mund të konfirmojë se do të ulet kostoja e shpërndarjes së energjisë elektrike.

“Në këtë mënyrë do t’ju ndihmohet jo vetëm konsumatorëve të vegjël dhe amvisërive, por edhe të gjitha kompanive që janë në tregun e lirë të energjisë elektrike. KRRE i analizon kërkesat. Metodologjia jonë është plotësisht në përputhje me legjislacionin evropian dhe ka një sërë elementësh që ndikojnë në çmimin përfundimtar. Këto janë kryesisht kosto për disbalancat, më tej një faktor korrigjues që kanë të tri kompanitë dhe gjithashtu ka elementë të tjerë si kostot e transferuara, kështu që të gjitha këto elemente po i analizojmë këto ditë dhe gjatë kësaj jave në bazë të këtyre analizave do të marrim vendimet përfundimtare”, tha Bislimoski.

Kryetari i KRRE-së bën me dije se struktura dhe kufijtë e bllokut mbeten të njëjta për amvisëritë, ndërsa vendosja e blloqeve për konsumatorët e vegjël shtyhet deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

“Struktura dhe kufijtë e bllokut mbeten të njëjta. Katër-pesë muaj tashmë janë aplikuar. Kemi rezultate të mira kështu që tani për tani nuk planifikojmë t’i ndryshojmë dhe do të qëndrojmë me të njëjtat blloqe. Analizat tona treguan se në këtë moment nuk është e mundur të futen blloqe për konsumatorët e vegjël, sepse ka një larmi të madhe konsumi mes tyre. Jemi duke bërë analiza shtesë dhe kjo ndoshta do të fillojë nga 1 korriku”, tha Bislimoski.

KRRE, shtoi ai, me vendimin e fundit ka çmim për energjinë elektrike aktive, në pjesën e tarifës së shtrenjtë kemi katër blloqe dhe në pjesën e tarifës së lirë nuk ka strukturë bllok. Kësaj i shtohet edhe kostoja e tarifave të rrjetit dhe fitohet çmimi përfundimtar për amvisëritë.

Për vitin e ardhshëm, siç theksoi, “EVN Houm” kërkon 3.900 gigavat orë energji elektrike që do të sigurohet 100 për qind nga SHA EMV, duke shtuar se deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm nuk parashihet import i energjisë elektrike për nevojat e tregut të rregulluar.

Related posts

Mariçiq – Varheji: Reformat dhe korniza e kompletuar negociuese janë garanci për anëtarësimi

Gazetamax.mk

Nëpërmjet komunikimit më të mirë deri te siguria më e madhe e punonjësve të mediave

Gazetamax.mk

Bazuar mbi ngjarje të vërtetë/ “Gjaku i martirëve të kombit” vihet sërish në skenën e Amfiteatrit të Liqenit 19/05/2023 13:27

Gazetamax.mk