Shkup, 12 janar – Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë vizitës së sotme në KME Manastir, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me problemin me qentë endacakë, tha se edhe krahas asaj që bëhet fjalë për kompetencë të autoriteteve lokale, Qeveria do të kërkojë ndihmë nga Brukseli, përmes programeve IPARD që të ndërtohet një strehimore e cila do të jetë shtëpi për ata qenë.
Kovaçevski theksoi se problemi me qentë endacakë është i madh dhe se për çdo ditë jemi dëshmitarë të sulmeve ndaj qytetarëve.
Duke potencuar se kjo është kompetencë vetëm e komunave, kryetari i Qeverisë theksoi se nuk bëhet fjalë për atë nëse kryetarët e komunave kanë forcë ose jo, por për atë nëse kanë përqendrim, përkushtim dhe vullnet që të përballen me problemet.
“Unë kam biseduar me ministrin e Bujqësisë, gjatë vizitës së ardhshme në Bruksel me sektorët kompetentë të bisedojmë për bashkëpunim të caktuar përmes programeve IPARD, nëse mund të bëhet ndonjë model i strehimores e cila do të mund të jetë ndonjë projekt shtetëror, edhe pse nuk është kompetencë e shtetit, me qëllim që të mund të ndihmojmë qytetarët dhe komunat në përballjen me këtë problem sepse bëhet fjalë për problem me të vërtetë të madh, ndërsa e shoh që kryetarët e komunave aspak nuk merren me të”, theksoi Kovaçevski.