GazetaMax
Lajme

Derek Collet me mesazh të njëjtë gjatë vizitës në Shkup, luftoni korrupsionin!

Shkup, 13 janar – Korrupsioni me shumë gjasë është fjala më e përmendur në Maqedoninë e Veriut, përmendet edhe nga ata që korruptojnë e janë të korruptueshëm, edhe nga ata që e luftojnë edhe nga ata që frikësohen, pra çdokush që e kupton fjalën korrupsion e përmend në çdo bisedë kur flitet për të ardhmen e vendit, e politikbërjen në vend. Por, korrupsioni si shqetësim nuk përmendet vetëm nga qytetarët, ambasadat e huaja kanë qenë çdoherë me zë kritik ndaj këtij fenomeni, e së fundmi këto kritika edhe janë shpeshtuar sidomos nga ambasada amerikane në Shkup, e përpos kësaj janë përkthyer edhe me veprime konkrete. Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, e porsaardhur ka përmend një ndër temat që janë të vjetruara në RMV, korrupsionin, e së fundmi ka informuar që ka arritur një ekip nga Uashingtoni që do të merret me këtë çështje. Kush duhet t’i frikësohet këtij lajmi që tani më lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm deklarative por ndërmerren edhe veprime praktike. Ngjashëm edhe këshilltari i lartë amerikan, Derek Collet, nga Shkupi dha mesazh të qartë se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në fokus, shkruan Zhurnal.

Derek Collet me mesazh të njëjtë gjatë vizitës në Shkup, luftoni korrupsionin-

Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e ngarkuar për Politika të Qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi u takuan me Derek Chollet, këshilltar i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Bliknen, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, Eric Meyer dhe përfaqësues të Ambasadë.

“Në takim u theksua mbështetja e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përparimin e mëtutjeshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. U vlerësuar se miqësia tradicionale, e sinqertë dhe shumëvjeçare me SHBA-të ka rëndësi të madhe në zhvillimin e proceseve demokratike, të reformave dhe integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është konstatuar se partneriteti strategjik i Maqedonisë së Veriut me SHBA-të është mbështetje e fortë e të gjitha proceseve të rëndësishme për të ardhmen demokratike të vendit dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, thonë nga Qeveria.

“Për fat të keq, njëkohësisht partnerët tanë më të mëdhenj, ata amerikan, disa herë alarmojnë se korrupsioni është në një nivel tepër të lartë dhe sa më shpejt duhet të kapemi me zgjidhjen e këtij problemi i cili nuk është aq i thjeshtë dhe nuk zgjidhet brenda natës. Nga ana tjetër tek politikanët dhe bartësit e funksioneve publike shohim një mungesë të çfarëdo qoftë vullneti politik për zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi Magdalena Mihalljllovska, eksperte.

Kohëve të fundit ndërkombëtarët të vendosur për të parë veprime konkrete në luftën kundër korrupsionit-

Megjithatë në fokus së vizitës Derek Collet është lufta kundër korrupsionit. Ajo që vërehet sidomos këtë periudhën e fundit është ardhja e ekspertëve amerikanë për Luftën Kundër korrupsionit si dhe deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së, tregojnë qartë se gjendja me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut është tepër alarmante dhe kërkon trajtim serioz dhe me përgjegjësi të lartë.

Kujtojmë që kur, Angela Price Aggeler. erdhi ambasadore e re në vendin tonë, në paraqitjen e saj të parë është shprehur në atë formë që bëri të qartë që e njeh mirë vendin, i dinë arsyet e regresit dhe problematikat kryesore të vendit. Ajo tha se patjetër duhet të ndryshojë kultura, e për këtë duhet edhe vullnet politik, lufta kundër korrupsionit është në interes të të gjithëve, por më së shumti për të rinjtë të cilët për shkak të korrupsionit po e braktisin shtetin.

Ndërkaq, lajmi tjetër në këtë drejtim ka bëjë me atë një ekip i posaçëm sanksionesh nga Uashingtoni që në fund të vitit që lamë pas ishin në Shkup për të kryer një hetim më agresiv ndaj ish-aktorëve të korruptuar dhe aktualë dhe për të shqyrtuar të gjitha përgjigjet e mundshme. “Sektori gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka nevojë për më shumë hetime dhe ndjekje penale, për të treguar se askush nuk është mbi ligjin, ka theksuar Ageler. Ambasadorja amerikane gjithashtu ka thënë se vendi është në rrugën drejt BE-së, korrupsioni vazhdon të pengojë përparimin e Maqedonisë së Veriut.

Kush duhet të frikësohet nga ky angazhim i ndërkombëtarëve që të luftohet korrupsioni në vend?

Frika nga hetimi i korrupsionit deri më tani nuk ka ekzistuar fare, sepse kemi pasur të bëjmë me hetime me “hapa breshke” apo “symbyllur”. Por, tani që këtë çështje e ka marr përsipër ambasadorja e re amerikane në Shkup duhet të frikësohen të gjithë ata që janë të përzier në raste korruptive. Ka marrë fund epoka që sikur je i korruptuar sikur nuk je është njësoj, tani me këtë ekip hetuesish nga Uashingtoni nuk do të jenë njësoj ata që janë të korruptuar dhe ata që nuk janë, sepse vendi i atyre që janë të korruptuar do të jenë Gjykatat për tu dënuar dhe burgjet për të mbajtur dënimet e caktuara.

Prandaj, secili bartës institucioni publik që është korruptuar apo ka korruptuar duhet të frikësohet e të shqetësohet sepse ka ardhur fundi i tyre. Ndërkaq, ky sensibilizim dhe interesim direkt i ambasadës amerikane në Shkup që ta luftojë korrupsionin në vend në mënyrë që t’i hap rrugë Maqedonisë së Veriut për progres të gjithanshëm, duhet të jetë edhe mesazh për kujdes të shtuar për të gjithë që kanë qasje në buxhetin e shtetit që mos të bien pre e provokimeve, manipulimeve dhe lakmive të ndryshme që të përzihen në raste korrupsioni, sepse vendi i tyre do të jetë në burgjet e këtij vendi. /Zhurnal.mk

Related posts

Ahmeti: Iniciativë për të memorizuar përjetë kujtimet e një episodi të errët

Gazetamax.mk

Ish presidenti bullgar: Sjellja agresive ndaj Maqedonisë shkakton urrejtje ndaj Bullgarisë

Gazetamax.mk

Ekuran Shehu për Feta Alimin

Gazetamax.mk