GazetaMax
Lajme

Takim Xhaferi – Turkoviq: Relacionet mes Shkupit dhe Sarajevës lëvizin në vijën përpjetë

Shkup, 20 janar – Në takimin e sotëm me ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i potencoi relacionet e deritanishme të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, të cilat lëvizin në vijën përpjetë vazhdimisht, njoftuan nga shërbimi për informim i Kuvendit.

Ai shprehu shpresë së ky intensitet i komunikimit politik dhe tjetër do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tutje.

“Në këtë drejtim, drejtoi apel te grupet parlamentare të bashkëpunimit të dy dhomave ligjvënëse të bashkëpunojnë në mënyrë të ndërsjellë në tema me interes të përbashkët. Kryetari Xhaferi e informoi mysafiren për agjendën ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 ku ndër të tjerat janë aktivitetet në lidhje me kryesimin veçanërisht të rëndësishëm me OSBE-në, kryesimi me procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore dhe gjithsesi, negociatat me Bashkimin Evropian si qëllimi ynë kryesor strategjik. Ndër të tjerat Kryetari foli edhe për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe nevojën reale për vendosjen e linjës së drejtpërdrejtë ajrore në relacionin Shkup – Sarajevë apo zgjidhje tjetër alternative që do të sillte deri në tejkalimin e këtij problemi ekzistues”, bëhet e ditur në kumtesë.

Ministrja e Punëve të Jashtme e BeH, Bisera Turkoviq, shprehu mirënjohje ndaj kryetarit Xhaferi për ndarjen e kohës dhe potencoi se veçanërisht e gëzon raporti i mirë dhe miqësor ndërmjet dy vendeve, por akoma më shumë e gëzon raporti miqësor ndërmjet njerëzve të dy vendeve

Ajo e informoi kryetarin Xhaferi për aktivitetet rrjedhëse pas zgjedhjeve në BeH rreth formimit të parlamentit të ri.

“Kishte fjalë lëvdate për aktivitetin tonë ndërkombëtar, sidomos në raport me mbështetjen konkrete që Republika e Maqedonisë së Veriut ia jep institucioneve dhe popullit ukrainas, me ç ‘rast nënvizoi se me këtë jemi ndër vendet rrallë të vogla që kanë dhënë ndihmë aq të madhe në këtë territor të përfshirë në konflikt. Ajo po ashtu u pajtua me Kryetarin Xhaferi rreth nevojës për vendosjen e linjës ajrore ndërmjet dy vendeve dhe potencoi se në periudhën e ardhshme duhet të punohet në mënyrë intensive në këtë çështje”, nënvizohet në kumtesë.

Në fund të takimit bashkëbiseduesit konfirmuan se do të bëjnë gjithçka që është në fushëveprimin e tyre që bashkëpunimi intensiv dhe miqësor të vazhdojë edhe në të ardhme

Related posts

Mungesa e gjykatësve, Ademi: Deri në fundvit do të mungojnë 218 gjykatës

Gazetamax.mk

Ruskovska: Drejtësia duhet të fitojë, nëse nuk fitoj, do ta pranoj humbjen

Gazetamax.mk

Presidenti i Letonisë, Egils Levic për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Gazetamax.mk