GazetaMax
Lajme

Aleanca për Shqiptarët po qëndron në këmbë në Qeveri, po pret të lirohet ndonjë karrige!

Shkup, 2 shkurt – Nga muaji nëntor i vitit të kaluar është përfolur përfshirja e mundshme e Aleancës për Shqiptarët në këtë përbërje qeveritare, edhe pse atë kohë nga ASH kundërshtonin këto zëra, erdhi momenti që këto zëra tani të konfirmohen dhe aktualisht kjo parti është në prag të Qeverisë, realisht me një këmbë ka hyrë, dhe po pret të lirohen dy karrige për të marrë dy ministri dhe të pozicionohet në këtë Qeveri. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ndodhet në një situatë mjaftë delikate pasi kemi një mungesë stabiliteti dhe një numër të madh të deputetëve që janë të pakënaqur, ku secili deputet që largohet nga shumica mund të rrezikojë prishjen e Qeverisë, me çka vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, prandaj edhe Kovapevski po e mirëpret Taravarin në Qeveri për të garantuar një stabilitet. Megjithatë, sfida më e madhe e vendit është të bëjë ndryshimet e nevojshme Kushtetuese që Maqedonia e Veriut përfundimisht të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në. Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE është kundër ndryshimeve Kushtetuese, ndërkaq opozita shqiptare e copëzuar sidomos pasi ASH të hyjë në Qeveri, nga Lëvizja Besa e cila po rrezikon të mbetet si parti e vetme opozitare shqiptare janë për ndryshime Kushtetuese por vetëm nëse ndryshon edhe gjendja e gjuhës shqipe në Kushtetutë, shkruan Zhurnal.

Cila është zgjidhja e duhur, hyrja e ASH-së në Qeveri apo vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Përbërja aktuale e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është votuar në Kuvend më 16 janar të vitit 2022 me 62 vota “pro” dhe 46 “kundër”, pasi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e fitoi mandatin për përbërje të Qeverisë nga Presidenti Stevo Pendarovski. Në mungesë të 12 deputetëve, njëri prej të cilëve ishte pjesë e shumicës, Ali Ahmeti, dhe Kastriot Rexhepi, nga Lëvizja Besa që me daljen e partisë së tij nga shumica, ky vazhdoi ende. Kjo nënkupton që Qeveria aktuale përbëhet nga një shumicë prej 64 deputetësh.

Nëse flasim për zgjedhje të parakohshme parlamentare kemi të bëjmë me një kthim mbrapa për sa i përket procesit eurointegrues, me një kaos funksionimi në mesin e krizës ekonomike, me një qeveri teknike që do të jetë edhe më e dobët në menaxhimin e situatës së rënduar. Pastaj, ajo që rrezikohet më së shumti është se kush do të jetë fitues i zgjedhjeve të ardhshme, që sipas gjitha anketave të fundit fitues potencial mund të jetë VMRO-DPMNE partia e cila do të ndërpres rrugëtimin për në BE duke mos përmbushur kriterin kryesor, futjen e pakicave bullgare në Kushtetutën e vendit.

Zgjerimi i qeverisë nuk mund të konsiderohet si zgjedhje e duhur sepse prodhon pasoja afatgjate sidomos në kampin politik shqiptarë, duke marrë në Qeveri partinë më të madhe opozitare e më kundërshtuese të këtij pushteti. Por, një mundësi e tillë nuk mund të përjashtohet ajo që veçse është folur në publik dhe ka takime për ndarje të resorëve për sa i përket inkuadrimit të Aleancës për Shqiptarët në këtë përbërje qeveritare.

Ndërkaq, shkuarja në zgjedhje të parakohshme vendin do ta kthejnë sërish në pikën zero, dhe do të rrezikohet e ardhmja integruese e vendit nëse VMRO-DPMNE fiton pushtetin dhe vjen në krye të Qeverisë.

Çka përfiton Qeveria nga Aleanca për Shqiptarët?

Ndryshe, tani hyrja e ASH-së në Qeveri nuk është se garanton stabilitetin e Qeverisë, sepse kjo veçse është e garantuar, por ajo që mund të konsiderohet si përfitim apo interes i Qeverisë me hyrjen e ASH-së është fakti se krijon një terren të përshtatshëm për të qeverisur me vendin edhe për një mandat tjetër pa kurrfarë pengese.

Megjithatë, e ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut është prioritet dhe duhet të zgjidhet me konsensus të gjerë politik e shoqëror. Sfidë e vendit është integrimi evropian e për të cilin duhet bërë me doemos ndryshimet kushtetuese, por për ndryshimet e tilla është i patjetërsueshëm koordinim më i gjerë politik, por ky është vetëm një justifikimi çastit që shfrytëzohet kjo situatë. Pra, Qeveria po dëshiron të manovrojë me atë se ka nevojë për zgjerim që të votohen ndryshimet kushtetuese, për të vazhduar rrugëtimin evropian.

Për të cilat janë të nevojshme 80 vota, tani shumica ka vetëm 64 deputet, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët ka 8 deputet, që në total do të kenë 74 deputet, pra do të nevojiten edhe 6 të tjerë. Mbase kjo nuk është as përfitim i qeverisë sepse nga ASH patën deklaruar se do të votojnë ndryshimet Kushtetuese në rast se ndryshon edhe përkufizimi me përqindje nga Kushtetuta për gjuhën shqipe.

Përfitimi kryesor i Qeverisë nga hyrja e ASH-së në këtë përbërje qeveritare është vasaliteti dhe joshja e partive opozitare për të “kërkuar” kolaçin qeveritar, si dhe heshtja e zërit opozitar. Kjo mbase krijon një situatë që jetëgjatësia e kësaj qeveri të zgjatet edhe më shumë, si dhe është veprim strategjik që të dobëson opozitën që të garantojë pushtetin.

Megjithatë, hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, është një shuplakë e rëndë për votuesin opozitar shqiptarë, tani më në kampin shqiptarë parti e vetme opozitare po ngel vetëm Lëvizja Besa në krye me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Nga ana tjetër, një veprim i tillë do të jetë vështirë i pranueshëm për Alternativen e cila veçmë është pjesë e Qeverisë, e cila duhet të sakrifikoj disa pozita që i pati marrë, e për të cilat shpesh herë thuhej se Alternativa më shumë ka pozita në Qeveri se vota në zgjedhje.

Për BDI-në partinë më të madhe në kampin shqiptarë, dhe më afatgjate në pushtet nuk është se ka ndonjë ndikim negativ hyrja e ASH-së në Qeveri, përkundrazi i krijon përparësi dhe avantazh në garën e ardhshme kurdo që mbahen zgjedhjet. Sepse, kjo krijon në situatë të atillë që të gjithë ata që e kanë kritikuar tani po bashkëpunojnë me BDI-në. /Zhurnal.mk

Related posts

Petrovska në takimin e ministrave të Mbrojtjes në Austri

Gazetamax.mk

LSDM kërkon seancë të jashtëzakonshme në qytetin e Shkupit për ajrin e ndotur, VMRO refuzon

Gazetamax.mk

I punësuar në “Postat e Maqedonisë” qëllimisht ka shkatërruar dokumente zyrtare

Gazetamax.mk