Saturday, April 25, 2026

Lajmi në kohë reale

“Zëri që ruan rrënjët” – Elvira Fjerza, jehona e shpirtit artistik të Malësisë së Madhe në Teatrin “Migjeni” të Shkodres

Shkruan: Musa Kurtulaj

Në mbrëmjen e së shtunës 25 prill, skena e Teatrit “Migjeni” Shkoder u kthye në një altar kujtese dhe krenarie e festive, ku tingujt e traditës u ndërthurën me emocionin e historisë. Me koncertin “Ku e muer emnin Malësia e Madhe”, të organizuar nga Shoqata Kulturore “Kënga Jonë” u festua 30-vjetori i kësaj shoqate e njëkohësisht u përkujtua 115-vjetori i ngritjes së Flamurit Kuq e Zi në Deçiç nga kryengritësit malësorë të udhëhequr prej Dedë Gjon Lulit, Hero i Popullit.
Mes 23 këngëve dhe valleve që sollën në skenë frymën e gjithë trevave shqiptare — nga Malësia e Madhe pa kufi, Kosova, Çamëria e deri te arbëreshët e Italisë — një nga zërat e shquar si jehonë e vetë Malësisë ishte e mirënjohura, Elvira Fjerza. Ajo nuk erdhi thjesht për të kënduar, por për të rrëfyer… Me këngën “Lum kush merr vajzën malësore”, Elvira solli në skenë hijeshinë, forcën dhe shpirtin e vajzës malësore, duke e kthyer interpretimin në një udhëtim të ndjerë ndër bjeshkë, ku çdo tingull merrte frymë si legjendë.
Zëri i saj, i pastër dhe i fuqishëm, dukej sikur buronte nga zëmra e thellësisë së maleve, dhe shpërndahej në sallë si një simfoni për shtojzovallet — një magji që publiku e përjetoi me emocione të sinqerta. E për publikun, ajo nuk është më një zbulim, por një pasuri artistike. Prej 11 vitesh në skenë, Elvira Fjerza ka ndërtuar një rrugëtim të qëndrueshëm e të sukseshëm, ku pasioni, talenti dhe përkushtimi për këngën, kanë lënë gjurmë të thella. Me mbi 100 klipe të realizuara dhe dhjetra të tjera të dublura, ajo tashmë është preferuar nga qindra milionë artëdashës të konkretizuar me klikime në YouTube, pa llogaritur këtu edhe dhjetra milionë klikime të tjera në Facebook, Instagram, TikTok etj. Faktikisht Elvira ka vite që është në rëndin e parë të kengëtarëve/reve më të klikuara të Veriut të Shqipërisë dhe Kosoves ! 11 vitei karrierë me mbi 600 aktivitete; e kanë çuar atë nga skena e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 2015, dasmat e gëzimet e tjera familjare në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe në Kosovë, koncertet në mbarë trojet e shqiptarisë dhe diasporë — nga Evropa në Amerikë — duke e bërë kështu edhe një ambasadore të gjallë të këngës sonë. Dhe në këtë mbrëmje të veçantë festive, në skenën e njërit prej tempujve të artit skenik shqiptar, teatrit “Migjeni” Shkoder, ideuar dhe realizuar nën kujdesin artistik të kantautorit të njohur, me karrierë artistike 50 vjeçare – njëherësh producentit Rrok Gjelaj, ajo dëshmoi edhe një herë se si arti i vërtetë këndohet dhe jetohet me publikun !

Latest Posts

Mos e humb lajmin