Makina e Ylli Zallës bëhet shkrumb e hi, dalin pamjet nga shtëpia e 49-vjeçarit pas shpërthimit. Janë publikuar pamjet nga vendi i shpërthimit me lëndë plasëse në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, në banesën e Ylli Zallës.
Nga pamjet e publikuara, automjeti në pronësi të Zallës rezulton i shkrumbuar nga shpërthimi, ndërsa dëmtime të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në banesë.
Janë dëmtuar dera kryesore, dritaret dhe struktura e verandës, ndërsa pasojat e shpërthimit janë konstatuar edhe në çati.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendin e ngjarjes nuk ka pasur kamera sigurie, çka e vështirëson identifikimin e autorëve dhe rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes. Grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe përcaktimin e mënyrës se si është vendosur lënda plasëse.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se, krahas pistave të tjera, po verifikohet edhe një skenar tjetër: mundësia që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Ylli Zalla.
Sipas kësaj piste, që mbetet ende nën hetim dhe nuk është provuar, shpërthimi mund të jetë inskenuar me qëllim krijimin e një situate që do t’i shërbente Zallës për të pretenduar se i rrezikohet jeta dhe për të kërkuar azil jashtë Shqipërisë.
Hetuesit po verifikojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë autorësinë, motivin dhe mënyrën e vendosjes së lëndës plasëse. Deri në këtë fazë, asnjë nga pistat e hetimit nuk është konfirmuar zyrtarisht.
