Dallimet në rejtingun e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, si dhe të liderëve të tyre, Hristijan Mickoski dhe Venko Filipçe, janë të mëdha, tregon anketa e fundit e MKD.mk, e realizuar nga agjencia „Market Vision” në periudhën 11–27 shtator, me një mostër prej 1.200 të anketuarish.
Në pyetjen se për cilën parti politike do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, 19,3 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do të votonin për VMRO-DPMNE-në, 5,6 për qind për LSDM-në, ndërsa BDI-ja dhe VLEN-i kanë rejting të barabartë, me nga 4,2 për qind.
Plot 41 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të dalin për të votuar, nuk e dinë nëse do të marrin pjesë në votime ose nuk dëshirojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.
Në mesin e të anketuarve që kanë përcaktuar se për cilën parti do të votonin, 4 për qind do të votonin për Levicën, ndërsa 1 për qind për ZNAM-in.
Edhe te liderët politikë, besimi ndaj Hristijan Mickoskit, kryetarit të VMRO-DPMNE-së, me 20,4 për qind, është dukshëm më i lartë krahasuar me besimin ndaj Venko Filipçes, kryetarit të LSDM-së, i cili ka 3,8 për qind.
Plot 44,1 për qind e të anketuarve nuk kanë besim te asnjë lider i partive politike, ndërsa 12,5 për qind nuk kanë dashur të përgjigjen në këtë pyetje.
Besimi ndaj Ali Ahmetit është 3,7 për qind, ndaj Dimitar Apasievit 3,4 për qind, ndërsa ndaj Izet Mexhitit 2,6 për qind. Liderët e partisë së re politike VLEN, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, kanë epërsi ndaj liderit të BDI-së në opozitë.
Edhe anketa e realizuar në qershor kishte treguar epërsi të theksuar të VMRO-DPMNE-së dhe të Mickoskit ndaj LSDM-së opozitare.
Anketa është realizuar përmes metodës CATI, përkatësisht anketimit telefonik, me një mostër prej 1.200 të anketuarish. Gabimi statistikor është 3 për qind, ndërsa intervali i besimit 95 për qind.
Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë, sipas rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, në përputhje me të dhënat për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021.
