Shkruan: Eraldo Xhelili
Shkulmimet e mia ndodhin në prill dhe vendosa të shkruaj disa gjëra që i mendoja dhe i ndjeja prej kohësh për Gridën. Nuk bëj mëkat dhe as blasfemi nëse i them ato, sepse, tek e fundit, është manifestimi im emocional dhe estetik.
Dikur Grida Duma për mua ishte një tabula rasa; sot është një palimpsest. Intelektualja Fouché-iane dhe Weberiane gjithmonë të thith si një magnet sa herë që ndez televizorin për t’i dëgjuar fjalët në vetëm 5 minutat e para, e më pas të prangos për ta parë e dëgjuar me kërshëri deri në fund. Valenca e dijes së Gridës është e tillë që kapërcen kufijtë e një fushe të vetme dhe krijon ura mes disa disiplinave. Për të qenë i sinqertë, jo për panelin e të ftuarëve të saj, sepse kohët e fundit, jo vetëm në Top Story, por edhe në studio të emisioneve me karakter talk show në Shqipëri, ftohen njerëz jo shumë profesionistë, duke e bërë emisionin një gavetë sesa një platformë, një tribunë ku përplasen mendimet, shprehen idetë, etj.
Shumë personazhe dhe “personalitete” që ulen në kolltukun velvet të studios nuk e meritojnë asnjë sekondë kohë për t’i parë dhe dëgjuar, por Grida, për gjithë bagazhin dhe profesionalizmin që ka, meriton respekt. E kam njohur Gridën nëpërmjet ekranit, analizave dhe qasjes së saj. E mbaj mend qysh në vitin 2011, kur mbante postin e Zëvendësministres së Integrimit Europian në qeverinë Berisha. Një post ky që Gridën e linte në hije dhe të pashpërblyer për figurën e saj, ndonëse ishte në një ministri me një nga gratë më të zonja në politikbërje, si znj. Majlinda Bregu. Por e mbaj mend Gridën edhe kur ishte kandidate e Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Grida atë vit e humbi garën, por fitoi simpatinë e njerëzve në një tjetër garë, atë të konsolidimit të imazhit të saj dhe për t’i hapur rrugën një etape dhe epoke të re në jetën e saj. Njerëzit, kur ajo humbi garën, e kritikuan shumë për veshjen dhe takat, për mënyrën e gabuar se si ajo zgjodhi të ishte në fushatë: jo e thjeshtë dhe jo afër elektoratit.
E mbaj mend Gridën kur erdhi në studion e emisionit Top Show, drejtuar nga Alban Dudushi; në atë kohë unë merrja mësim si funksiononte media dhe televizioni në brendësi. Grida kërkohej, pëlqehej dhe duhej me respekt dhe insistim për të qenë në studio, sepse e ngrinte nivelin e debatit dhe diskursit në një tjetër nivel. Por e kam parë Gridën edhe në intervista të forta, ku ka shpalosur platformën e saj dhe pikëpamjet mbi tezat e liberalizmit. Një artikulim i shkëlqyer mbi përpjekjet për idetë mbi liberalizmin, shtetin dhe shoqërinë në kontekstin shqiptar. E ftuar në emisionin “Kontrata”, 12 vite më parë, në emisionin e gazetares Sonila Meço, Grida më la një shije të mirë dhe mbresëlënëse. Dhe me të drejtë Sonila tha: “Grida të fut në një botë që, kur vë pikën, nuk është pikë; menjëherë të ka futur në një tjetër!”
Grida është një moderatore që hap dhe diskuton tema kruciale që prekin aktualitetin, socialen, politikën, ekonominë, arsimin, turizmin, sigurinë, religjionin etj.
Grida nuk është moderatorja klasike që kemi parë gjithmonë në ekran; ajo është atipike në nivel, në prezencë, në karakter dhe në qasje. Kur ajo nis të flasë, të pataks, të fandaks dhe të shastis, duke të imponuar vëmendje të plotë.
E kam parë Gridën të moderojë maratonën e zgjedhjeve në Top Channel; e kam parë Gridën jashtë studios televizive, në vende ku këmba dhe kamera nuk futen dhe shkelin lehtë, ku vendi është zonë e ndaluar. E kam parë Gridën në fjalime diplomimesh në disa universitete; e kam parë Gridën në ambientet sekrete të RENEA-s; por e kam parë edhe në foltoren e parlamentit, të flasë, të ngrejë zërin, të akuzojë, të denoncojë, të kritikojë dhe të jetë një opozitare dinjitoze. Grida është një hard talk si Sarah Montague e BBC, por kur do, ajo mundet të jetë edhe një Amanpour e CNN.
E kam parë Gridën t’i përmendin jetën e saj private, por ajo akoma më shumë është ngritur dhe ka ecur përpara.
Do të doja që Gridën ta lexoja deri në deje dhe ta komentoja me një gjuhë artistike, kritike dhe filozofike si: znj. Suzana Varvarica, z. Abaz Hado, Prof. Përparim Kabo, Prof. Gazmend Leka, Ardian Vehbiu etj. Por jam unë, Eraldo; janë ndjesitë dhe emocionet e mia dhe askush nuk mund t’i interpretojë më mirë se unë, kur i ndjej. Nuk e di nëse duhet të besoj apo jo se Grida Duma është një njeri elohim, por në fjalët që ajo ndjen dhe thotë ka shumë triblim. Grida është shumë divulgatore, kronofage, kontemplative për ekranin dhe me një instinkt narrativ si pak personalitete të medias dhe jo vetëm. Një nga moderatoret më të mira, me bosht dhe mendim kritik të pasur si pakkush në Shqipëri. Në fakt, duke i njohur mirë profilet e shumë prej figurave dhe personaliteteve të medias në Ballkan, Grida qëndron në partenonin e atyre.
Shpeshherë fjalët e saj më japin fuqi dhe më ngjajnë si fajkonjtë peregrinë që fluturojnë furtunshëm mbi shkretëtirë. Fjala e saj djeg si thëngjill, por shëron si shilajiti i Tibetit, por ka edhe raste kur, duke folur, ajo heq të keqen e madhe në këtë vend, duke bërë një “ekzorcizëm”, me Biblën e saj të punës që është fjala, mendimi i saktë dhe i pastër. Fjala e saj nuk digjet në zjarr; ajo është pirosti që e mban atë. Fjala e saj ka solemnitetin e një kodiku: nuk lexohet lehtë, por mbetet gjatë. Fjala e saj është konaku, dakneja ku fjala nuk humbet, por piqet. Fjala e saj është mangalla që ngroh shpirtin e shtëpinë, por edhe zhurit kur afrohesh shumë. Vetë Grida është një El Niño. Fjalët dhe mendimet e saj janë si një proton shpërthyes. Grida, kur ka zgjatje me përshtatje, është një epigram. Fjalët e Grida Dumës kërcejnë me elegancë si Fred Astaire. Fjala e Gridës është si harku i violinës Stradivarius në duart e virtuozit Maxim Vengerov, e saktë, e ndjeshme dhe depërtuese.
Fjala e Grida Dumës është si bashi i anijes epokale Santa Maria të Kristofor Kolombit, që çau mes për mes Atlantikun; ashtu edhe fjala e saj zbulon, dikton, kërkon, saldon, zhvesh, shpërthen, nuk ndalet, nuk tërhiqet, por përparon me një vendosmëri që i ngjan vetë historisë.
Fjala e Gridës nuk të kursehet, as për thinjat, as për titullin, statusin, emrin, asgjë, sepse ajo në vite e ka dëshmuar se është e drejtpërdrejtë dhe nuk bën kompromis me të vërtetën.
Fjala e Grida Dumës është si ligji i Arkimedit: sa më thellë zhytet në debat, aq më shumë ngre peshë mbi sipërfaqe.
Grida Duma më duket sikur ka një produkt gjenetik dhe molekular të jashtëzakonshëm; ka një shpirt që lufton fort reaksionet maskiliste, që mjerisht ende janë pirgje-pirgje në këtë vend. Ajo lufton çdo ditë pa ndryshuar në parime, princip, karakter, linjë, vizion, mision, ide, bindje, ndikim etj.
Grida Duma është një “franchise” e konsoliduar e komunikimit publik në hapësirën mediatike shqiptare, një profil që është kthyer në model të dallueshëm për mënyrën e strukturimit të mendimit dhe artikulimit të tij në debatet mediatike.
Grida Duma, brenda emrit dhe mbiemrit të saj, fsheh një dualitet kuptimor: emri i saj, një folje në gjuhën italiane (gridare), që do të thotë të bërtasësh, të thërrasësh me zë të lartë ose të ulërish.
Pra, e folura e Gridës është si një thirrje e fortë, një britmë që kërkon të dëgjohet; ndërsa mbiemri i saj, Duma, në gjuhën ruse, lidhet me mendimin dhe reflektimin.
Nuk di ç’mund t’i them Gridës; të shumta janë kritikat pozitive, por ajo është një: Teuta ilire, një Atossa perse, një Athina greke, një Aspasia e Miletit.
Sepse në fund, Grida Duma nuk është thjesht një figurë mediatike; është një qëndrim. Një refuzim për të qenë oportuniste në një realitet që shpesh shpërblen pikërisht këtë. Në raport me mysafirët e saj në studio, ajo nuk negocion me të vërtetën për hir të rehatisë televizive; në formulimin e pyetjeve nuk kërkon përgjigje të bukura, sepse ajo di vetë të jetë e zonja e fjalëve të bukura, por përgjigje të sakta. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e saj: tek fakti që nuk përpiqet të pëlqehet, por të jetë e drejtë.
Në një kohë ku fjala shpesh përdoret për të fshehur apo manipuluar, ajo e përdor për të zbuluar. Dhe kjo nuk është thjesht aftësi. Është karakter, është Grida Duma.
