Rexhep Ajdari ngjitet në podiumin botëror, medalja e bronztë vlen sa ari!

Një tjetër sukses i madh në sportin e mundjes! Rexhep Ajdari ka arritur të renditet i treti në botë, duke fituar medaljen e bronztë në një prej garave më të rëndësishme ndërkombëtare.

Pas një rruge të gjatë me sakrificë, disiplinë dhe përkushtim, Ajdari është ngjitur në podiumin botëror dhe ka shkruar një tjetër kapitull të rëndësishëm në karrierën e tij sportive.

“Një medalje bronzi që vlen sa ari!”, shprehet Ajdari, duke falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij.

Përmes një postimi emocionues, mundësi shqiptar thekson se ky rezultat është vetëm fillimi dhe se synimet e tij janë shumë më të mëdha.

“Pas shumë sakrifice, mundi, disipline dhe besimi, arrita të ngjitem në podiumin botëror. Faleminderit të gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë mbështetur në çdo hap. Ky është vetëm fillimi!”, shkruan ai.

Ajdari premton se shumë shpejt do ta kërkojë edhe majën e këtij sporti, duke paralajmëruar se synimi i radhës është Turqia, ku dëshiron të vazhdojë rrugëtimin drejt rezultateve edhe më të mëdha.

“Dashtë Zoti u ndalëm me këtë rezultat, por ju premtoj të gjithë dashamirëve të mi se do të më shihni shumë shpejt në majën e këtij sporti në Turqi”, shkruan Ajdari.

Vendi i tretë në botë. Një medalje bronzi, por një sukses i artë për Rexhep Ajdarin!

Me punë, disiplinë dhe ambicie, ai tashmë ka treguar se mund të përballet me më të mirët në arenën ndërkombëtare. Podiumi botëror është vetëm një hap – synimi është maja.