Mexhiti në terren me urbanistin Bajram Vardar: Masterplani për Çairin po jetësohet

Mexhiti në terren me urbanistin Bajram Vardar: Masterplani për Çairin po jetësohet! Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me urbanistin dhe arkitektin nga Turqia, Bajram Vardar, po ndjekin nga afër realizimin e projekteve që janë pjesë e Masterplanit për zhvillimin urban të Çairit.

Gjatë vizitave në terren, vëmendje e veçantë u është kushtuar ndërhyrjeve infrastrukturore, përmirësimit të qarkullimit rrugor dhe modernizimit të hapësirave publike, me synimin për të krijuar një mjedis urban më funksional dhe më të përshtatshëm për qytetarët.

Ndër projektet që janë inspektuar në kuadër të zbatimit të Masterplanit janë ndërhyrjet në rrugët “Ferid Murati” dhe “Mithat Frashëri”, dhe zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov”.

Masterplani për Çairin është hartuar me kontributin e një ekipi ekspertësh nga Turqia dhe profesionistëve vendorë, nën drejtimin e Bajram Vardarit. Qëllimi i planit është të përcaktojë një drejtim afatgjatë për zhvillimin e komunës, duke ndërthurur modernizimin e infrastrukturës me ruajtjen e identitetit historik dhe kulturor të Çairit.