Policia e Kosovës ka vënë në pranga në Zveçan një person të identifikuar me inicialet I.M, i cili dyshohet për përfshirje në sulmet ndaj pjestarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës gjatë tensioneve të majit 2023 në veri të vendit.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, arrestimi u krye nga hetuesit e drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe krimeve të Rënda. Mbi të dyshuarin rëndojnë veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese” dhe “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.
Kutjojmë se arrestimi erdhi pas një sërë veprimesh hetimore që lidhen me ngjarjet e majit 2023, kur protestat në veri të Kosovës u shoqëruan me përleshje të dhunshme, ku mbetën të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe efektivë të Policisë së Kosovës.
Në vitin 2023, tensionet në veri të Kosovës kulmuan me dy ngjarje të rënda të dhunshme, sulmi masiv ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan më 29 maj dhe sulmi terrorist i armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator. Këto sulme shënuan përshkallëzimin më të rëndë të sigurisë në rajon në vitet e fundit. Ngjarja ndodhi pas protestave të serbëve lokalë kundër vendosjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në veri.
Turma të dhunshme sulmuan pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe Policisë së Kosovës që po siguronin objektet. Ndaj tyre u përdorën gurë, shkopinj, shok-bomba, koktej molotovi dhe armë zjarri.
Ndërsa sa i përket sulmit terrorist në Banjskës, kur u roganizua një sulm i organizuar nga një grup i armatosur dhe i uniformuar serb, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq. Grupi bllokoi rrugën me kamionë në fshatin Banjskë dhe sulmoi në pritë një njësi patrulluese të Policisë së Kosovës. Më pas, ata u barrikaduan brenda Manastirit të Banjskës. Aso kohe ra në detyrë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe u plagos një polic tjetër. Gjatë operacionit të kundërpërgjigjes nga Forcat Speciale të Kosovës, u vranë tre nga sulmuesit serbë, ndërsa të tjerët u arratisën drejt Serbisë.
