“Mendonim se po flinte”: Prindërit në Itali udhëtuan 100 kilometra me djalin e tyre të vdekur në makinë

Prindërit udhëtuan rreth 100 kilometra nëpër Itali, duke menduar se djali i tyre po flinte në sediljen e pasme të makinës, ndërsa ai në fakt kishte ndërruar jetë, raportoi „Corriere della Sera“. Familja me origjinë rumune po udhëtonte drejt Torinos.

Ngjarja tragjike ndodhi dje rreth orës 07:30 në autostradën A21 Torino-Piacenza. Babai ishte në timon, ndërsa nëna në sediljen e pasagjerit. Prindërit nuk e kishin shqetësuar djalin, duke menduar se ai po flinte.

Kur ai nuk reagoi për një kohë të gjatë, ata ndaluan në një zonë pushimi dhe e prekën. Në atë moment kuptuan se ai nuk po merrte frymë. Menjëherë thirrën ndihmën e shpejtë, ndërsa mjeku që mbërriti në vendngjarje konstatoi vdekjen.

Prindërit thanë se kishin folur për herë të fundit me djalin rreth 100 kilometra më parë.

Sipas informacioneve, 31-vjeçari kishte pësuar një atak në zemër dhe nuk kishte pasur as kohë të thoshte një fjalë për të kërkuar ndihmë. Nëna dhe babai nuk e kishin kuptuar se ai kishte kaluar nga gjumi në vdekje.

Prindërit kanë deklaruar se djali vuante nga disa probleme të vogla të zemrës.