Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari francez Miguel Mendes, i cili u gjet pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet se është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake, nga këqyrja e trupit të të riut në morgun e Sarandës është konstatuar se ai ka marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor. Si pasojë e plagëve të shumta, dyshohet se vdekja ka qenë e menjëhershme.
Mësohet se Miguel Mendes kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet verore në jug të Shqipërisë.
Ndërkohë, Sokrat Vata mësohet se ishte i punësuar si roje në hotelin “Pronciopotes”, ku dyshohet se konflikti mes tij dhe 20-vjeçarit francez ka nisur për motive të dobëta, ndërsa burime bëjnë me dije se në qendër të konfliktit mund të ketë qenë një femër.
Grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa policia ka shpallur në kërkim 29-vjeçarin.
