Saime Isufi rrëfen takimin e parë me Kadri Zekën: Erdhi me biçikletë, atë natë u betuam për atdheun

Saime Isufi ka rrëfyer për herë të parë në detaje njohjen me Kadri Zekën, veprimtarinë e tyre të përbashkët ilegale dhe mënyrën se si, nga bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare, mes tyre lindi edhe dashuria.

Në emisionin “Dosje” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, Saime Isufi ka treguar se me Kadri Zekën ishte njohur në verën e vitit 1977, kur së bashku me kushëririn e saj, Ismet Isufi, kishin formuar një celulë ilegale.

“Unë, në 1977, u organizova në një celulë, përsëri me kushëririn tim, Ismet Isufin. Ai më ofroi edhe me Kadri Zekën dhe aty formuam celulën e parë në verën e vitit 1977”, tregoi ajo.