Sot, më 10 maj, në 11-vjetorin e rënies heroike të Heroit të Kombit, Beg Rizaj, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën në Deçan dhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan për të nderuar jetën dhe veprën e tij.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe tre djemtë e tij, të cilët me krenari dhe emocione përkujtuan sakrificën e babait të tyre, duke vendosur lule pranë varrit të heroit dhe duke kujtuar rrugën e tij të lavdishme në shërbim të lirisë së Kosovës.
Beg Rizaj mbetet një nga figurat më të njohura të luftës çlirimtare, një luftëtar që deri në frymën e fundit qëndroi në mbrojtje të atdheut. Ai ra heroikisht më 10 maj 2015, gjatë përleshjeve të ashpra në Kumanovë, duke u bërë simbol i guximit, vendosmërisë dhe sakrificës për kombin.
Të pranishmit në homazhe theksuan se emri dhe vepra e Beg Rizajt do të jetojnë përherë në kujtesën e popullit shqiptar. Ata kujtuan se ai nuk luftoi për lavdi personale, por për idealin e lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Tre djemtë e tij, tashmë të rritur me kujtimin dhe krenarinë për babain e tyre, u panë pranë memorialit me lot në sy, por me kokën lart, duke dëshmuar se sakrifica e Beg Rizajt vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.
“Babai ynë jetoi dhe ra për Kosovën. Ne do ta mbajmë gjallë emrin dhe amanetin e tij”, u shprehën ata gjatë ceremonisë përkujtimore.
Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të kombit!
