GazetaMax
Ballina

Halili: Gjithsej 4.4 milionë euro shpëndahen për të mbështetur 86 ndërmarrje në kuadër të Thirrjes publike “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike”

Sot në një ngjarje solemne, Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik shpalli fituesit e thirrjes publike “Grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike”. Me këtë thirrje shpërndahen gjithsej 4.4 milionë euro për të mbështetur 86 ndërmarrje vendore për të realizuar projektet e tyre inovative.

Qëllimi i thirrjes është të inkurajojë ndërmarrjet që të krijojnë kushte për tejkalimin e pasojave të krizës ekonomike, për të arritur rritje të përshpejtuar, për të rritur konkurrencën në tregjet ndërkombëtare dhe rezistencën ndaj krizave pandemike dhe klimatike, përmes prezantimit të teknologjive të reja, inovative, të avancuara, “të gjelbra” dhe digjitale për transformimin e tyre.

“Më vjen shumë mirë që familja e FIZHT nga sot po rritet me 86 ndërmarrje të reja dhe me këtë numër portofoli i FIZHT numëron 1153 projekte të bashkëfinancuara që kanë realizuar, janë duke realizuar ose do të fillojnë të realizojnë projekte me vlerë totale prej 130 milionë euro. Ky është një tregues i qartë se Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik është një shtëpi e vërtetë për të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që kanë ide inovative dhe zgjidhje kreative, dhe më vjen shumë mirë që nga sot po fillojmë një rrugëtim të ri sipërmarrës i cili jam i bindur se do të rezultojë me sukses të madh”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.

Drejtori i Fondit Halili theksoi se me mjetet nga kjo thirrje, ndërmarrjet vendase dhe institucionet shëndetësore private kanë mundësi të zhvillojnë teknologji të reja dhe të rrisin produktivitetin dhe efikasitetin në funksionimin e tyre. Nga buxheti i përgjithshëm, FIZHT bashkëfinancon 4.4 milionë euro, ndërsa shfrytëzuesit investojnë 2.7 milionë euro në realizimin e projekteve. Me realizimin e këtyre projekteve, vlera totale e investimeve në sektorin privat në bazë të këtij konkursi publik kalon 7 milionë euro.

Si zakonisht me instrumentet FIZHT, numri më i madh i ndërmarrjeve janë mikro (48%) dhe ndërmarrje të vogla (48%), ndërsa 4% janë ndërmarrje të mesme. Projektet e përzgjedhura do të punojnë në projekte kryesisht nga këto industri: teknologji e informacionit, shëndetësi, industri teknologjike, bujqësi, hoteleri, industri tekstile, ndërtim, maqineri, arsim, marketing etj.

“Veçanërisht më gëzon fakti që një përqindje solide e numrit total të të përzgjedhurve, 43% e ndërmarrjeve, janë start-up, sipërmarrje të reja, që do të thotë se kemi mundësuar zhvillimin e ideve, bizneseve dhe projekteve të reja. Në fakt, edhe misioni ynë është të inkurajojmë entuziastët që ta kthejnë idenë e tyre unike në realitet dhe që ne të jemi partnerë të tyre në të gjithë procesin. Për më tepër, fakti që gratë sipërmarrëse treguan një interes të konsiderueshëm për të filluar projekt inovativ është inkurajues, pra 46% e ndërmarrjeve kanë një grua si pronare ose drejtuese dhe unë personalisht shpresoj që kjo tendencë të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe me instrumente të tjera të FIZHT ”, tha Halili.

Në thirrjen publike që ka zgjatur prej datës 27.03. deri më 05.05.2023 janë dorëzuar 268 propozim projekte për ndërmarrjet vendase, por në përputhje me procedurat e FIZHT për vlerësimin e propozim projekteve të pranuara, Komisioni i Miratimit të Investimeve, mori vendim për dhënien e mbështetjes financiare gjithsej 86 ndërmarrjeve.

Related posts

Në Novaci është ngritur centrali më i madh privat fotovoltaik në Ballkan. Do të prodhojë 85 mijë MWh energji elektrike, e mjaftueshme për t’i shërbyer 30,000 familjeve

Gazetamax.mk

Episodi i 3-të, INFORMALE/ Xhevdet Jashari me fjalë të mëdha për Bujar Osmanin (VIDEO)

Gazetamax.mk

Faton Ahmeti: Zyrtarisht po e fillojmë fushatën për Zgjedhjet presidenciale nga Reçica e Vogël

Gazetamax.mk